ASKUSH NUK MUND TË KETË MONOPOL
MBI DASHURINË E MËRGIMTARËVE NDAJ 
ATDHEUT, AQ MË PAK T’I PËRBUZË ATA

Nga Driton Gashi


Se në çfarë niveli ka rënë gazetaria kosovare, dëshmon më së miri „debati“ i fundit i nxitur nga një person, të cilit nuk dua t’ja përmend as emrin. Se nuk ia vlen në kushte normale të merren njerëzit me ty, me ofendimet banale, me arrogancën e mosdijen tënde, se kanë punë më të mençura e më të rëndësishme në këto kohë të vështira për të gjithë botën. Por desha t’i them disa fjalë mbi mërgimtarët më të njohur shqiptarë, edhe pse ti i konsideron ata si analfabetë, të paditur, të pakulturuar, primitivë etj, etj.

Ke mësuar ti ndonjëherë histori?

Ke dëgjuar për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun? Ai si fëmijë u bë mërgimtar, por nuk e harroi atdheun e vet dhe u kthye për të luftuar kundër pushtuesve osmanë dhe është heroi ynë më i madh kombëtar.

Ke lexuar ti ndonjëherë vepra të autorëve më të mirë shqiptarë, si për shembull të Jeronim De
Radës, Zef Serembes, Çajupit, Asdrenit, Filip Shirokës e të rilindasve tjerë, të cilët nga mërgimi me vargjet e tyre plot dashuri shprehnin mallin e tyre për Shqipërinë dhe u bënë frymëzimi kryesor për luftërat për Pavarësinë e Shqipërisë?

Ke dëgjuar ti për Nënën Tereze?
Ajo është mërgimtarja më e njohur në botë.

Ke dëgjuar ti për Aleksandër Moisiun?
Ai është aktori më i njohur dhe më i suksesshëm shqiptar në botë. Edhe ai mërgimtar.

Ke dëgjuar ti për Carlo Ghega, projektuesi i viaduktit në Alpet e Austrisë, 20 shilingshi i të cilit shtet kishte portretin e tij?
Edhe ai mërgimtar.

Ke dëgjuar ti për Bekim Fehmiun?
Edhe ai mërgimtar.

Ke dëgjuar ti për luftëtarët e lirisë Fehmi dhe Xhevë Lladrovci?
Të dy erdhën nga mërgimi për të luftuar dhe u vranë nga armiku.
Bashkë me shumë e shumë të tjerë.

Ke dëgjuar ti për Salih Çekajn, për Agim Ramadanin, projektuesit e thyerjes së kufirit mes Kosovës e Shqipërisë?
Edhe ata mërgimtarë,heronj të kombit.


Ke dëgjuar ti për të madhin Ismail Kadare?
Edhe ai mërgimtar.

Ke dëgjuar ti për Rita Ora, Dua Lipa?
Të dyja mërgimtare.

Nuk njoh familje mërgimtarësh, pa marrë parasysh se ku jetojnë, të cilët nuk e kanë ndihmuar vendin e tyre dhe këtë gjë e bëjnë edhe sot. Që e lënë veten keq, familjet e veta, për t’i ndihmuar njerëzit e tyre në Kosovë, sidomos në situata të rënda si gjatë luftës, pas saj, por edhe tash gjatë pandemisë. Faktikisht ndihma e tyre nuk është ndalur kurrë.

Mërgimtarët kanë të drejtë ta duan vendin e tyre edhe pa e dëshmuar me lekë. Kush e përcakton atdhedashurinë? Kush ka monopol mbi të? A vetëm ata që paguajnë kanë të drejtë të vijnë në Kosovë sipas teje? A blihet dashuria me lekë? A blihen emocionet me dhurata? A shuhet malli
për atdhe vetëm me transfer parash?

„Argumentet“ e tua janë aq të ulëta, aq ofenduese, aq jonjerëzore, aq fyese, aq arrogante. Ato shumë më shumë shfaqin personalitetin tënd të paformuar, keqbërës, keqnxitës, duke u munduar nëpërmes fyerjes së një grupi të tërë të ndihesh më mirë, më superior, më i rëndësishëm. Ti në fakt e ke arritur të kundërtën. Ne pedagogët një fenomen të tillë e shohim nëpër shkolla, ku disa nxënës ngacmojnë të tjerët, për t’u dukur vetë më të fortë, për t’u ndier më „cool“ se të tjerët. Në të vërtetë ata mundohen ta mbushin boshllëkun e vet emocional me këto gjeste të pahijshme dhe ta kompenzojnë deficitin e tyre që kanë në vetëbesim dhe në vetëvlerësim, si dhe në kapacitetin e mangët intelektual.

E kuptove?

Në këtë gjendje je ti.

Akoma infantile.

Atë e shpreh edhe me mënyrën se si shkruan dhe si flet. Gjuhë rrugaçësh.

Mërgimtarët shqiptarë nga e gjithë bota të lënë ty në gjumë dhe disa të tjerë që mendojnë si ti.

Ata janë shkolluar dhe edukuar në shkollat e universitetet më të njohura botërore.

Ata janë duke jetuar nëpër vende të qytetëruara, me kulturë të lartë, në frymën e iluminizmit europian, të tolerancës, respektit dhe humanizmit. Në frymën e filozofëve të mëdhenj, si Kant, Nietzsche etj. Me veprat e autorëve të mëdhenj, si Goethe, Schiller, Kafka, Frisch etj. Nën tingujt e veprave muzikore të kompozitorëve Bach, Beethoven, Liszt, Chopin, Verdi etj.

Ata gazetarë që nxisin urrejtje, nuk e kanë vendin aty. Ata duhet të ndiqen juridikisht dhe të japin llogari për këtë.

Urrejtja nuk sjell diçka të mirë. Një fjalë e urtë gjermane thotë se urrejtja të bën bile edhe të shëmtuar.

Ne mërgimtarët kemi shumë dashuri për të dhënë, merrni shembull nga ne. Edhe për ata që nuk na duan. Ju keni nevojë për dashurinë tonë, ashtu si kemi edhe ne për tuajën.



( Autori Driton Gashi është pedagog, mediator dhe përkthyes letrar në Gjermani)