BIOGRAFIA

Mentor Thaçi u lind me 8 qershor 1965 në Llukë të Epërme (Verat e Llukës) të Deçanit. Shkolli-min fillor dhe atë të mesëm i kreu në Deçan. Studioi ekonominë dhe mbanë titullin Ekonomist i Diplomuar, por që kurrë nuk ushtroi profesionin e tij.

Që nga viti 1989 mërgoi, që atëherë jeton dhe punon në mërgim, kryesisht në Gjermani. Është i martuar, baba i dy djemve, Butrintit dhe Kurbinit.

Me shkrime merret që në rininë e hershme. Shkruan poezi dhe prozë, tregime, ese, etj., ndonjë reportazh gazetaresk si dhe tekste këngësh që deri sot ka realizuar mbi 70 tekste nga këngëtar të ndryshëm dhe zhanresh të ndryshme.

Ka botuar librin me poezi “Rrënjët“, me shkrimtarin Musa Jupolli, “Tokë Arbërore-1“, “Tokë Arbërore-2” , “Çamëria“, bashkautor në grup i disa përmbledhjeve me poezi si dhe pjesëmarrës në disa antologji. Të gatshme për botim ka dy përmbledhje tregimesh, tri përmbledhje me poezi, një përmbledhje me poezi për fëmijë dhe një përmbledhje tekste këngësh, një lloj i veçantë i poezisë.

Jeton dhe punon në Gjermani. Është sekretar organizativ në LSHKASHM dhe anëtar i kryesisë në LSHAKSHGJ.

\

Mentor THAQI

ARA E ZEF LLUKËS

– E dojke Zefi arën e vet, pasha babën …

tuj e plehnu ka dy herë n´sene,

mas Sh´Mitri e para Sh´n  Gjergji

Farën e drithin tana herët t´njajtën,

n´gjys e përpjetë t´kuqe

e mgjys e teposhtë t´maravçe

As pasulen nuk e nrrojke kurrë,

pasul Reke, e njajta si e Pollogut

Dy kosha drith dej n´kulem prej asaj are

e prej asaj fare,

parmena me um krece t´thatë

nuk delke braz´s prej s´mare

E … hy … hy … e hy, me ki,

jetë mas jete aty

Dikur edhe kishen e maroi aty

mos me iu largu bekimit t´Zotit,

aty e bajke uraten

e i dhezke qira e pishë për naten

Ec e mos u banë tanë ajo begati

kur edhe munin ia bajke me dritë shpirti

Veç, tevona do sorra laraska

që sorra shkina iu thojshin,

nuk e lejshin t´qetë n´arë,

n´kishë e n´punë t´vetë

Çudi more babë,  çka ashtë ky farë beteri,

ato gjithmonë erdhen prej veri,

po t´thotë ty qeky Imeri

…                                     
PS. K´shtu kallzojke baca Belë,

që e tana, histori po i del