Koha nget me vrap maratonik, mot pas moti ikë edhe motmoti dhe sërish në derë na troket „Nëntori Poetik“, i dymbëdhjeti në kokërrim numërimi nën ombrellen e LKSHM-së, në bashkëpunim të shkëlqyer me K.L. “Martin Camaj” si brum i mirëpjekur në trupin e përbashkët, mbajtën Orë Letrare të shtunën më 26.10.2024, nga ora 18:00, në Moosburg të Bavarisë!
Pas këndimit të përzemërt të Himnit Kombëtar, këndim amatoresk nga të pranishmët, por pa fije kompleksi ngurues dhe shumë përzemërsisht e të përcjellur me melodiozitet instrumental nga artistët Imer Kurti, Gëzim Miroci dhe Vullnet Uka, e më pas edhe Himnit Shtetëror të Republikës së Kosovës, pasoi fillimi i mbrëmjes poetike e kulturore!
Emocione dhe ndjesi sa dhëmbshurie, poaq nderuese zgjuan vargjet e pedagogut, krijuesit dhe atdhetarit intelektual, luftëtarit të lirisë tashmë në amshim, Prof. Hamdi Kurti – “Mësuesi Dardan” të deklamuara nga Mentor Thaqi në përcjellje me fyll nga artisti Imer Kurti!
Ishte Sekretari i LKSHM-së z.Mentor Thaqi që bëri fillimin e mbrëmjes letrare e kulturore me pak fjalë, duke përshëndetur të pranishmët me veçim të përfaqësisë diplomatike të RK, z. Afrim Nura, Konsul i RK në Mynih, regjisorin dhe diplomatin e nderuar Esat Brajshori, Deli Balidemaj, deputet bavarez dhe përfaqësues i CSU për Bavari, aktori i mirënjohur Imer Loshi, Kryetari i LAPSH për Bavari, z. Milazim Ukaj, poetja nga Dardania, znj Rabije Bytyqi, Kryetari i Shoqatës “Bekim Berisha – ABEJA” z. Luftar Haxhija dhe personalitete tjera të nderuara që më pas sipas rangimit dhe skemës programore paten edhe nga një fjalë përshëndetëse drejtuar ngjarjes dhe të pranishmëv! Pastaj një fjalë përshëndetëse me përzemërsi dhe nuanca të bukura poetike nga Kryetari i LKSHM-së z.Musa Jupolli, mbrëmja rrodhi binarëve të saj me një ngrohtësi shpirtërore! Po ashtu u bë edhe një prezantim i shkëlqyer i mjeshtrit të Artit z. Milazim Ukëhaxhaj i cili me përkushtim të madhë ruan dhe kultivon përjetësimin artistik figurativ të (veçmas) kullave tona shqiptare.
Pasoi prezentimi i librave të krijuesve mërgimtarë të botuara brënda një viti, të autorëve: Gazmend Dashi, Lumturije Sadikaj, Lumni Nimani, Tonin Nikolli (me tri botimet e fundit), Hamzë Halabaku, Musa Jupolli & Mentor Thaqi, për të cilat folën autorët apo recensentët, varësisht nga dëshira e tyre!
Pjesa e dytë e Mbrëmjes Letrare-Kulturore filloi me recitime të poezive nga poetët dhe shkrimtarët tanë: Rabije Bytyqi (e ardhur nergut nga Atdheu), Lumturije Sadikaj, Hamza Halabaku, Milazim Ukëhaxhaj, Lumni Nimani, Milazim Kajtazi, Gazmend Dashi, Shqipe Bytyqi, Emine-Konushevci-Durmishi, Ulpiana Brajshori, Imer Loshi, Luftar Haxhija, Tonin Nikolli, Imer Kurti, Sylë Bajrami, Xhevat Muqaku, Avni Neziri, Bashkim Halilaj, Musa Mulolli, Musa Jupolli, Mentor Thaqi!
Të gjitha leximet dhe deklamimet e vargjeve u shoqëruan me melodi me fyll nga artisti Imer Kurti!
Si zakonisht, tashmë mbi një dekadë, tradicionalisht bëhet edhe nderimi me çmimet dhe vlerësimet nga LKSHM në nderim të Nëntorit Arbëror, si vijon:
Çmimi kulmor tradicional “Pena e Artë – Martin Camaj” (i dhjeti me radhë), për krijimtari letrare (jetësore), nderoi poetin-shkrimtarin, kritikun dhe publicistin Shefqet Dibrani!
Çmimi “LKSHM-Fran Tanushi”, për vargun e bukur, nderoi poetin Tonin Nikolli!
Çmimi “28 Nëntori”, për krijimtari artistike (art pamor), nderoi fotografin Reshat Murati!
Çmimi “Kongresi i Alfabetit”, për veprimtari arsimore dhe organizim mësimor plotësues shqip, kësaj here nderoi dy veprimtarë të dalluem në LAPSH për Bavari: Bashkim Halilaj dhe Mustafë Krasniqi!
Çmimi “Himni Kombëtar” i krijuar këtë herë enkas për krijimtari në artin muzikor, kësaj here nderoi tri personalitete të kësaj veprimtarie artistike:
Prof. Maestro Ramadan Ramadani, dirigjent-kompozitor,
Shkurte Hadergjonaj, këngëtare dhe
Agron Haxhija, koreograf i valleve!
Çmimeve iu bashkua edhe nga një libër “At Ndon Belushi” që u pranuan me shumë përzemërsi!
*
Si zakonisht me mirënjohje (certifikata) të veçanta nderojmë personalitete të dalluara në fusha të ndryshme krijimtarie e veprimtarie, e që kësaj here nderimi shkoi te: Mirënjohje – Certifikatë (e veçantë) për Pedagogun Prof. Hamdi Kurti (Mësuesi Dardan) tashmë në përjetësi, pastaj edhe të nderuarët: Afrim Nura, Konsul i RK në Mynih, Gentiana Mburimi,Konsulle e RSH në Mynih,Regjisori Esat Brajshori, Deputeti Bavarez (CSU) Deli Balidemaj, LAPSH-Bavari, Kryetari Milazim Ukaj, artisti Imer Loshi, poetja Rabije Bytyqi, Dr. Abit Veliu dhe nergut Shoqata “Bekim Berisha – ABEJA”, respektivisht Kryetarit Luftar Haxhija, për bashkëpunim të shkelqyeshëm shumëvjeçar me LKSHM/KL “M.C.”, të cilët me një humor, por tejet përzemërsisht u nderuan me nga një gur të vogël nga Atdheu me fjalët: “Presidenti Rugova nderonte me gur të çmuar të minierave dardane, unë të tillë nuk kam, por secili gur i Atdheut është i çmuar!”!
Duke lënë paksa anash modestinë tonë (unë dhe Musa jupolli), u ndjemë shumë të nderuar nga befasia tejet e këndshme dhe emocionale që na u bë nga Kryesia e Klubit Letrar “Martin Camaj” (krahu i djathtë i LKSHM-së që hapëron nën të njëjten ombrellë organizative): Bashkim Halilaj – kryetar, Mislim Berisha – sekretar dhe Sylë Bajrami – kordinator, në nderimin tonë me Mirënjohje tejet të çmuar!
Salla tejet impozante me një pamje dhe ngrohtësi shpirtnore “antikiteti”, e stolisur me flamuj, piktura të bukura, tërvezë të mirash bujqësore, artefakte dhe gjëra tjera artizane, me një pjesëmarrje te madhe artdashësish dhe artbërësish, i jepen mbrëmjes një bukuri dhe hijeshi artistike dhe përzemërsi kombëtare nëntoriane!
…
LKSHM/KL “M.C.”
Mentor Thaqi & Bashkim Halilaj
VS-Mynih, 10 nëntor 2024