Drita Fejza u lind më 16 dhjetor në fshatin Mushtisht, Therandë (Suharekë) në një familje patriotike.

Si  fëmija i tetë i Bilall Fejzës dhe Sevdije Kelmendit që sollën në jetë gjithsej 12 fëmijë. Shkollën fillore dhe të mesme i mbaroi në Mushtisht -Therandë. Në vitin 1998/99 bashkë më fëmijët e saj detyrohet ta braktisë atdheun nga pushtuesi serb, që nga ajo kohë jeton dhe krijon në Berlin (ka tre fëmijë).

Drita Fejza  ka specializuar në fushën e medias dhe shërbimeve informatike. Gjithashtu është kualifikuar si ndërmjetësues gjuhësor dhe kulturor. Është e kualifikuar si “Coach” në sistemin këshillues terapeutik

Ka botuar disa poezi në revista të ndryshme si “Pionieri ” Bota Sot ” “Dielli” “Agmia”, etj.

Gjithashtu ka botuar  disa libra me poezi dhe prozë:

“Migranten Geschichte”, 2011 me katër poezi në gjuhën gjermane

„Shpirti i arratisur„ 2013, (poezi),

„Melodia e Pyllit„ 2014, (novelë),

„Triumf dashurie”, 2015, (roman),

“Dritëhijet e fatit”, 2018, (roman),

“Me mallin e një balade”, 2021, (poezi).

Gjithashtu ka marrë pjesë në disa Antologjit poetike “Ali Podrimja”, “Uragani i Lirisë “,”Nënë Tereza”, “Pena e Lirisë “, Antigona Fazliu “.

Drita FEJZA

VENDLINDJA

Do të shkojmë në Vendlindje, biri im

Aty ku kanë lindur gjysh e stërgjysh.

Ku  lindi nëna, babai, motra e vëllai

ku  i thuhet, bukës  bukë e ujit ujë

do të hyjmë në Vendlindje me hapa të sigurt

qetësisht e pa bujë

Zhurmën nuk e duan njerëzit e Vendlindjes sime,  biri im

Të ushqyer dhe të rritur me muzikë

Njerëzit më të dashur që ke njohur ndonjëherë

Liridashës në shpirt.

Do të shkojmë në Vendlindje, biri im

Ti njohësh nga afër ato rrugë

ku ende i dëgjoj hapat e moshatarëve të mi,

 me ëndrrat që merrnin krahë

 të etur për liri

Lirinë e fjalës,  lirinë e shpirtit!

Do ta vizitojmë shtëpinë, nënës,

dhe mos mendo se nëna  jote ka më shumë se një shtëpi

Ajo ka veç një më  të madhe se vetë zemra

Kosovën për ku do të nisemi tani.

Do të shkojmë në Vendlindjen time, biri im

Ti vizitojmë varret ku pushon e mira ime Laoretë

Ku pushojnë  prindërit  që më sollën në jetë

dhe njerëz të mirë që nuk e patën të lehtë

Na e thanë shpirtin e na e thanë gojën

Përgjysmë na e lanë lojën, lojën e jetës.

Kur të shkojmë atje, vetë s’do të jemi ne

Në çdo vend  ka  një lis  me rrënjë

Plagë e vrragë, dashuri e krenari

Ndriçon udha nga yjet që ranë për Liri

Do ti vizitojmë fshatrat, qytetet, istikamet ku kanë rënë

Muze të mbushura me fotografi që rrëfejnë histori

Në fletore kujtimesh firmën do t`u lëmë

Unë dhe ti, dëshmi.

E vogël është firma ime

Nënshkrimin ua dha populli që i kujton përherë

Të lavdishme e kishin jetën, të lavdishëm si ata s’ka të tjerë

Mos i harro as ti biri im, edhe pse i lindur dhe rritur në Berlin.

Do të shkojmë në Vendlindjen time

Biri im 

Do të hyjmë qetësisht  dhe pa bujë

Ti djalë me dy Atdhe mos u ndje i huaj

Është Vendlindja e rrënjëve tua!