Prof. Dr. med. phil. Halil Krasniqi, kirurg dhe zbulues shkencor, themelues i klinikes vaskulare në spitalin gjerman, ka lindur në Pejë, ku përfundoi shkollën fillore dhe atë të mesmen. Kurse shkollën e mjekësisë e mbaroi në Mitrovicë.  Pas diplomimit në studimet e para në Fakultetin Klinik të Defektologjisë në Universitetin Filozofik, ka vazhduar studimet në Mjekësinë humane dhe është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Heinrich Heine në Düsseldorf në vitin 1998.

Specializimin e Kirurgjisë së Përgjithshme, Krasniqi e përfundoi në Klinikën Universitare të Kirurgjisë nën oput të Prof. Dr. Röher, kurse Specializimin e Kirurgjisë Vaskulare po në të njëjtën klinikë Universitare nën oputin e Prof. Dr. W. Sandmann.

Prof. Krasniqi posedon mbi 16 specializime dhe ka diplomuar në dy Fakultete duke mbrojtur dy doktornatura shkencore në fushën e Kirurgjisë Vaskulare, në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Düsseldorfit, në Fakultetin Filozofik me vazhdim akademik të Profesorit të shkencave të kirurgjisë.

Në vazhdim Profesori mbaroi specializime të shumta pasuniversitare si ato për trajtimet Intervencionale dhe Endovaskulare si Specialist Endovaskular dhe Kirurg Endovaskular në Düsseldorf dhe Berlin, me super specializim të Radiologjisë Intervente.

Specializimet e mëtutjeshme vazhduan edhe në shkenca të tjera medicinale sikur diplomimi në shkencat e Sexualitetit, shkencat e Psikologjisë familjare si dhe specializimeve të tjera në trajtimet kirurgjike Hibride.

Ekspert i Kirurgjisë, i vlerësuar nga shkenca në Gjermani si Shef i Klinikës Vaskulare dhe Kirurgjisë së Përgjithshme në Spitalin St. Willehand në Wilhelmshaven, degë Universitare e Universitetit Carl Von Ossietzky në Oldenburg, karrierën e tij e vazhdoi ai gjatë pozitës si Drejtor i kirurgjisë vaskulare në St. Johannes Hospital në Varel. Së fundi Profesor Krasniqi ishte Shef i kirurgjisë vaskulare në Helios Klinikum në Pforzheim. Tani Krasniqi është Drejtor i Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme, Vaskulare dhe Estetike „Chirurgie Krasniqi“ në Calw të Gjermanisë.

Si Docent ligjërues i Kirurgjisë në Fakultetin e mjekësisë në Universitetin Heinrich Heine në Düsseldorf, në Universitetin Carl von Ossietzky në Oldenburg, në Universitetin Ruprecht Karls në Heidelberg dhe së fundi në Kolegjin UBT Universitetin e Shkencave, Biznesit dhe teknologjisë në Prishtinë, Kosovë, Profesor Halil Krasniqi është korife i mbështetjes shkencore në Evropë.

Krasniqi zbuloi shifken Bidirektionale në vitin 2020, ku fitoi vendin e katërt në garat e zbulimeve shkencore nga çmimi Arthur Fischer në Stuttgart dhe është vlerësuar ndër 10 zbulimet më të mira shkencore nga 200 shkencëtarë të Gjermanisë. Zbulimi i Shifkes  KRASSA është patentuar me patentën e nivelit botëror numër 20 2018 107 159. Shifka KRASSA përdoret nga disa disiplina mjekësore të cilat trajtojnë sëmundjet vaskulare me metodën intervencionale dhe atë endovaskulare. Shërben për hyrjen në Arterie dhe Vena. Kirurgët vaskularë, Kardiologët, Radiologët, Angiologët mund ta përdorin shifken duke marrë parasysh ekspertizën e tyre në trajtimin vaskular.

Eksperti vaskular për herë të parë në historinë e kirurgjisë vaskulare në Kosovë, implantoi Stentprotezat në Aortën Torakale, Abdominale dhe në Arteriet e veshkave. Gjithashtu në vitin 2016 ai trajtoi me metodën intervencionale Aneurizmen e A. Subclavia mbi 12 cm.

            Në vitin 2015 Krasniqi përdori për herën e parë trajtimin e Venave të sëmura me RFITT (Radiofrequenz termo terapi bipolare) duke e etabluar këtë metodë në Kosovë dhe Shqipëri.

            Në vitin 2016, Profesor Krasniqi implantoi Prothese e parë Aortobiliacale në Kosovë, tek një pacient 62 vjeçar me Aneurizmen Abdominale mbi 11 cm. Pas këtij trajtimi vazhduan edhe trajtimet e tjera të patologjisë së Aortes supra dhe infrarenale.

 Në vitin 2017 ai trajtoi me TEVAR një 57 vjeçar me Dissekacion të Aortës Thorakoabdominale për herë të parë në Kosovë. Pas këtij trajtimi vazhduan edhe trajtimet e tjera Endovaskulare të patologjisë së Aortës Torakale, Aneurizmës dhe Disekacionit.

            Në vitin 2018 Krasniqi gjithashtu për herë të parë në Kosovë Implantoi Stentet në Arteriet renale tek pacienti 15 vjeçar me tandem stenoz dyfishe renale. Në vitin 2021 implementoi në Kosovë Krasniqi, trajtimin e sëmundjeve të venave me ngjitës biologjik Vena Seal.

Krasniqi, është Profesor i Kirurgjisë në UBT, Prishtinë dhe ekspert, Kirurg i Përgjithshëm dhe Kirurg Vaskular në Kosovë. Obligimi dhe aktiviteti i tij mjekësor vazhdon me vite edhe në spitalet e vendlindjes në Prishtinë.

Aktualisht Prof. Dr. Halil Krasniqi ka kryer mbi 28.000 operacione nga Kirurgjia e Përgjithshme, Vaskulare, Ortopedike, Gjinekologjike, Estetike etj.

Kurse specializimet dhe titujt shkencor të arritur me diplomime në fakultetet përkatëse i përfundoi me afate shkencore.

Ai është Autor i disa librave shkencore, fetare, politike, letrare dhe anëtar i disa shoqatave shkencore dhe teknologjike i cili kontribuon rregullisht me shkrime, publikime dhe evidenca te trajtimit.

Përgjatë aktiviteteve shkencore Profesor Krasniqi obligohet edhe me shkencat politike dhe është politikan, deputet komunal i partisë së pavarur politike (FWV) në vendbanimin e tij në Gjermani.