BIOGRAFIA
MUSA MULOLLI
Musa Mulolli u lind me 27. 10.1971 në Shajkoc, komuna e Podujevës. Shkollën fillore e mbaroi ne Shajkoc, kurse të mesmen në Podujevë në vitin 1989. Pas demonstratave të marsit të vitit 1989, kundër ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës nga Serbia, për-jashtohet nga shkolla dhe i ndalohet arsimimi universitar. Si maturanti iu mundësua nga Komuna e Podujevës diplomimi në shkollën e mesme me anë të provimeve klasore. Mirëpo, ndalimi i arsimimit të mëtejmë mbeti në fuqi. Shkollimin universitar e vazhdon në shkencat juridike, menjëherë pas luftës. Në vitin 1991 emigroi në Gjermani, ku jeton e punon edhe sot. Në Gjermani aktivitetet atdhetare, kulturore e politike në shërbim të çështjes kombëtare dhe në shërbim të komunitetit shqiptar që jeton në Gjermani, i vazhdon që nga vendosja e tij në Hagen të Gjermanisë. Është bashkëthemelues i Lidhjes së Shkrimtarëve, Krijuesve dhe Artistëve e Shqiptarë në Gjermani. Ka ndihmuar në hapjen e shkollave shqipe në Hagen, Ennepetal dhe Schwelm.
Herë pas here merret edhe me shkrime publicistike.
Musa MULOLLI
JETA E VËRTETË
Jetë dinake, o Jetë e pa mëshirë
Shumëçka më vodhe, por të lutem
Më plotëso një Dëshirë
Më kthe dhe një herë
Në Djalë të ri e të mirë
Të betohem atëherë me mua
Do ta kesh vështirë
O dinake s’do mashtrohem më pas teje
Ç’të duash më falë, se
Nga Dëshira e vetme nuk do të dalë
Atje në Shajkofc me Kujtimet e mia do rri
Pranë varreve të Prindërve të mi
Vetëm atje ku Shpirti gjen qetësi
Jetë o dinake ç’më bëre kështu
Gjithkah më përpëlite, e më solle këtu
Erdha Djalë i ri, i ri më nuk jam
Por Shpirtin, ende, te Kujtimet e mia
Atje në Shajkofc e kam
Atje ku ç’do fije bari, një Kujtim për mua mbanë
Atje ku ç’do cicërimë e Zogjve, në heshtje për
mua qanë
Atje ku Gurët e Rrugës hapat e mi i kanë
numëruar
Ku Batllavës i mungojnë Krahët e hapur të Djalit
duke Notuar
Më ka marr Malli të ulem në Bankën e Shkollës
Më ka marr Malli të hipë në Degët e Mollës
Më ka marr Malli Bukë të ha duke vrapuar
Ah m’ka marr Malli si atëherë të qeshë
Por edhe për t’lotuar
Si të t’them o Vendi im më i mirë
Nuk mund të t’quaj Ari as Xhevahir
Emri yt nuk preket as nuk shihet
Por thellë në Shpirt dhemb dhe ndjehet
Atëherë kur në ty marr frymë dhe flej i qetë
Kuptoj se Emri yt është
JETA E VËRTETË!
(Nga Monografia “MËRGATA SHQIPTARE NË GJERMANI“, autor Argjend Hasani. Botuar 2020)