BIOGRAFIA E POETIT SADIK KRASNIQI
Sadik Krasniqi u lind në vitin 1961 në Llukar të Prishtinës. Diplomoi në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Është anëtar i disa asociacioneve letrare dhe kulturore shqiptare në Gjermani dhe mërgatë.
Është autor i disa librave me poezi të cilat i janë përfshirë në disa antologji si dhe i janë përkthyer në rumanisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht. Po ashtu, është lauerat i disa çmimeve letrare. Krahas poezisë, Sadik Krasniqi shkruan edhe tregime, recensione dhe shkrime publicistike.
Jeton dhe punon në Gjermani.
Veprat e autorit:
“Ofshamë në urnë“, Prishtinë, 2008 (fitues i çmimit
“Azem Shkreli” për letërsi në mërgim),
“Lacrima vietti” – “Loti i jetës“, Bukuresht, 2010,
“Oazë palmash të djegura“, Prishtinë, 2011,
“Ag muzgu“, Prishtinë, 2014 (çmimin e parë
“Azem Shkreli“për letërsi në mërgim),
“Parajsë e nëmur“, Prishtinë, 2019.
POEZI
Sadik KRASNIQI
KTHIMI
Do të kthehem
në Itakën time
një ditë
i përmallshëm
e më dinak se Uliksi
do t´i hedh Ciklopit hi në sy
në pellgun e nimfave do të bie shi i ylbertë
ato të heshtura do t´i krehin flokët
mbi detin e përgjumur me erë te mbarë
do të kthehem një ditë
në Itakën time të shenjtë
E për gjakun tim
të lënë në Trojë
do të më mbysë mërzia