AZEM OSMANI
Azem Osmani u lind më 17 gusht të vitit 1966, në Mitrovicë. Shkollën fillore dhe atë të mesme i ka mbaruar në Podujevë. U diplomua në Fakultetin e Bujqësisë në programin Bachelor, drejtimi Bioteknologji në Zooteknikë, në Universitetin e Prishtinës.
Është diplomuar në Gjermani për informatikë, në “SGD” Darmstadt – Pfungstadt, drejtimi “PC Betreuer”. Në Kolegjin AAB, Prishtinë është diplomuar gjithashtu në programin Master, Komunikim Masiv dhe Gazetari. Ka publikuar punimin shkencor në Revistën Ndërkombëtare “THESIS” (Nr.2/2015), në fushën e medieve dhe gazetarisë. Ka marrë pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për Media dhe Gazetari. Në këtë hulumtim janë përfshirë edhe segmente të rëndësishme të kulturës. Me poezi është marrë qysh herët në bankat e shkollës fillore duke publikuar poezi në revista të ndryshme të kohës. Është pjesëmarrës po ashtu me poezi në tri antologji poetike, dedikuar heronjve dhe dëshmorëve të kombit. Ka botuar poezi në gazeta dhe revista letrare, siç janë: “Nacional”, “Intervista”dhe“Mirdita”. Po ashtu ka publikuar shkrime publicistike në mbi dhjetë portale që janë të njohura për opinionin e gjerë, ndërsa tek gazeta ditore “Kosova Sot” është analist i rregullt. Është pronar dhe kryeredaktor i portalit Dritarjaonline.net, dedikuar për kulturë, art, shkencë, analiza dhe opinione.
Aktualisht jeton dhe punon në Gjermani.
Veprat e autorit:
“Fole me thupra shelgu”,Poezi, Lena, 2019,
“Simfonia e qiellit të bruztë”, Poezi, Lena, 2019,
“Rreze të djersitura në mjegullnajë”, Publicistikë, Lena, 2019,
“Shtigjeve të qelqta”, Publicistikë, Lena, 2019.
POEZI
Azem OSMANI
ATA NUK ISHIN FATLUM SI UNË…
Mërmëritur flas me vete
Si nuk lundroi titaniku
Oqeaneve të syrit tënd kaltërosh
Me buzëqeshje si çurkaja pranverash
Të fundosje brigje akullnajash
Hukamave tua vullkanore
Të avullohej ai dimër kobtar
Bota jote, pasuri si arat e grurit
Shpirt i shkrirë në soditje plot diell
Sikur t’i begatoje, kështu si mua
Pasagjerët e druajtur nga teshat e arnuara
Që rropateshin skutave të anijes labirint
Të përjetësohej kurorave lulesh mjaltëse
Dashuria e Xhekut me Rozën
E madhe, sa vet titaniku
E thellë, sa vet oqeani
Eh, kështu është jeta!
Ata nuk ishin fatlum si unë…
Podujevë – 2018