Nga Kosova për në Gjermani kanë emigruar shumë kuadro profesionale për shkaqe ekonomike dhe politike, po ashtu edhe nga fusha e shëndetësisë. I tillë është edhe migrimi i mjekut Dr. Hamit Manxholli nga Mikushnica e komunës së Skenderajt.
Hamit Manxholli shkollën fillore e mbaroi ne Prekaz të Epërm, ndërsa të mesmen në Skenderaj. Studimet i ndoqi deri në semestrin e nëntë në Fakultetin e Mjekësisë në UP-së në Prishtinë. Pas mbylljes së Universitetit të Prishtinës në mënyrë të dhunshme nga forcat serbe, në vitin 1992, u detyrua t’i vazhdojë dy vitet e tjera në Shqipëri, ku edhe diplomoi në Universitetin e Tiranës – (UT) në Tiranë.
Dr. Hamit Manxholli, fillimisht mërgoi për disa vite në Zvicër, afër Zürichut, dhe më vonë u vendos në qytetin Passau të Republikës Federale të Gjermanisë.
Mjeku, Hamit Manxholli, disa vite ka punuar në Kirurgji të Përgjithshme, Vaskulare e Traumatologji e më vonë në Mjekësinë Interne, deri në specializimin e tij si Internist në vitin 2014.
Nga viti 2017, Dr. Manxholli profesionin e mjekut e bën si i pavarur në Ordinancën Internistike dr. Hamit Manxholli, si mjek familjar dhe internist, ku njëkohësisht edhe bashkëshortja e tij punon si infermiere.
Pacientë të shumtë, si gjermanë, shqiptarë dhe të nacionaliteteve të tjera, të cilat i kryejnë vizitat e tyre në ordinancën e mjekut Hamit Manxholli janë të kënaqur me shërbimet e ofruara nga ai dhe stafi i mrekullueshëm shëndetësor në këtë ordinancë.
Mikpritja, profesionalizmi, empatia e Dr. Hamit Manxhollit, si dhe përkujdesi i stafit shëndetësor ndaj pacientëve, e sidomos tani në kohë pandemie, ka rritur imazhin e kësaj ordinance, gjë që është bërë një rritje enorme të vizitave shëndetësore dhe ka rritur po ashtu edhe numrin e pacientëve në përgjithësi.
Kredibiliteti dhe autoriteti i Dr. Hamit Manxhollit, e sidomos sukseset e tij, mërgatën shqiptare në Passau dhe rrethinë si dhe në tërë Gjermaninë e bëjnë krenar.
Doktor Hamit Manxholli është i martuar me Mirsijen, e cila me profesion është infermiere dhe kanë tre fëmijëve. Vajza e madhe Fjolla 20 vjeçare, studion Biznes-Informatikë në Universitet, kurse vajza e dytë, Florentina 18 vjeçare dhe djali Floriani në Gjimnaz në Passau.
Mjekut të suksesshëm shqiptar në Gjermani, doktor Hamit Manxhollit i urojmë suksese të mëtutjeshme në profesionin dhe misionin humanitar në shërbim të pacientëve.