Nga Kosova për në Gjermani kanë emigruar shumë kuadro profesionale  për shkaqe ekonomike dhe politike, po ashtu edhe nga fusha e shëndetësisë. I tillë është edhe migrimi i mjekut Dr. Hamit Manxholli nga Mikushnica e  komunës së Skenderajt.

Hamit Manxholli shkollën fillore e mbaroi ne Prekaz të Epërm, ndërsa të mesmen në Skenderaj. Studimet i ndoqi deri në semestrin e nëntë në Fakultetin e Mjekësisë në UP-së në Prishtinë. Pas mbylljes së Universitetit të Prishtinës në mënyrë të dhunshme nga forcat serbe, në vitin 1992, u detyrua t’i vazhdojë dy vitet e tjera në Shqipëri, ku edhe diplomoi në Universitetin  e Tiranës – (UT) në Tiranë.

Dr. Hamit Manxholli, fillimisht mërgoi për disa vite në Zvicër, afër Zürichut, dhe më vonë u vendos në qytetin Passau të Republikës Federale të Gjermanisë.

Mjeku, Hamit Manxholli, disa vite ka punuar në Kirurgji të Përgjithshme, Vaskulare e Traumatologji e më vonë në Mjekësinë Interne, deri në  specializimin e tij si Internist në vitin 2014.

Nga viti 2017, Dr. Manxholli profesionin e mjekut e bën si i pavarur në Ordinancën  Internistike  dr. Hamit Manxholli,  si mjek familjar dhe internist, ku njëkohësisht edhe bashkëshortja e tij punon si infermiere.

Pacientë të shumtë, si gjermanë, shqiptarë dhe të nacionaliteteve të tjera, të cilat i kryejnë vizitat e tyre në ordinancën  e mjekut  Hamit Manxholli janë të kënaqur me shërbimet e ofruara nga ai dhe stafi i mrekullueshëm shëndetësor në këtë ordinancë.

Mikpritja, profesionalizmi, empatia e Dr. Hamit Manxhollit, si dhe përkujdesi i stafit shëndetësor ndaj pacientëve, e sidomos tani në kohë pandemie, ka rritur imazhin e kësaj ordinance, gjë që është bërë një rritje enorme të vizitave shëndetësore  dhe ka rritur po ashtu edhe numrin e pacientëve në përgjithësi.

Kredibiliteti dhe autoriteti i Dr. Hamit Manxhollit, e sidomos sukseset e tij, mërgatën shqiptare në Passau dhe rrethinë si dhe në tërë Gjermaninë e bëjnë krenar.

Doktor Hamit Manxholli është i martuar me Mirsijen, e cila me profesion është infermiere dhe kanë tre fëmijëve. Vajza e madhe Fjolla 20 vjeçare, studion Biznes-Informatikë në Universitet, kurse vajza e dytë,  Florentina 18 vjeçare dhe djali Floriani në Gjimnaz në Passau.

Mjekut të suksesshëm shqiptar në Gjermani, doktor Hamit Manxhollit i urojmë suksese të mëtutjeshme në profesionin dhe misionin humanitar në shërbim të pacientëve.