Dr. Med. ARJAN MULLAHI, SHEMBULL I SUKSESIT NË GJERMANI
( Nga sukseset e shqiptarëve në mërgatë)
Shkruan: Faruk Tasholli
Shkencëtarin nga më të dalluarit në Gjermani, Dr.med. Arjan Mullahin, shef në spitalin St.Josef në Linich në Landin e Nordrhein Westfalen për ortopedi dhe kirurgji akute, mediat vendore e kanë cilësuar si „Zoti në të bardha“! Ai shumë pacientë të pashpresë për të lëvizur, i ka kthyer në gjendje normale, duke implantuar eshtrat e të vdekurve te të gjallët, por edhe duke rikonstruktuar pjesë të skeletit te pacientët. Kohët e fundit nga duart e tij janë shëruar edhe disa pacientë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova. Por Zotëri Dr. Mullahi nuk ndalet vetëm me kaq. Ai ka ndërmarrë edhe hapin tjetër që të pavarësohet në profesionin e vet. Tanimë që nga viti i kaluar ka hapur ordinancën private të ortopedisë në Kerpen-Horrem (afër Këlnit) në Rathausstraße 1, 50169 Kerpen.
Dr.Arjani është shembull në procesin e integrimit të shqiptarëve në Gjermani, që gradualisht po faktorizohen si komunitet në të gjitha fushat, qofshin ato shkencore apo ekonomike. Një lehtësim i madh për pacientët shqiptarë është bërë kohëve të fundit, pasi ata mund të komunikojnë lirisht me bashkëvendasit e tyre mjekë, qoftë në klinikat publike por edhe ato private. Një rast i veçantë është edhe Dr.med. Arjan Mullahi që për një pjesë të komunitetit tonë, do të jetë një adresë besnike në ruajtje të shëndetit të tyre.