Albert Bucolli, një prej afaristëve të suksesshëm në mërgatë

Z. Albert Bucolli është një emër i njohur dhe i respektuar në biznesin shqiptar të diasporës. Nga përshkrimi i tij, kuptohet se ai është një njeri me një disiplinë të jashtëzakonshme dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj punës. Fillimet e tij, të cilat i kujton me krenari dhe përulësi, janë një shembull i përkushtimit dhe sakrificës që ka bërë për të arritur në sukses.

Në vitin 2006, kur z. Bucolli nisi aktivitetin e tij në Gjermani, kishte shumë sfida përpara tij,  megjithatë, kurajo dhe përkushtimi, si dhe ndihma e bashkëpunëtorëve, kanë qenë kyçe në arritjen e qëllimeve të tij. Ai e sheh punën si një satisfaksion dhe është falënderues për të mirat materiale, morale dhe shpirtërore që ka marrë nga puna e tij.

Angazhimi i z. Albert Bucolli në përmirësimin dhe zhvillimin e biznesit në Gjermani është një dëshmi e suksesit të tij dhe e aftësisë për të ndikuar pozitivisht në mjedisin e biznesit. Ai është krenar si shqiptar të tregojë vlerat e komunitetit të tij, duke i bërë shembull për të tjerët përmes punës së palodhur dhe investimeve të vazhdueshme në afarizëm.

Me siguri, storja e tij është një inspirim dhe motivacion për shumë të tjerë dhe është një dëshmi e forcës dhe vizionit që mund të çojnë edhe në suksese në nivelin ndërkombëtar.

Revista “Mërgata”:  Z. Bucolli, mund të na flisni pak për veten tuaj? Ku jeni lindur dhe çfarë arsimimi keni marrë? Po ashtu, si ishte angazhimi juaj në UÇK?

Albert Bucolli:  Unë jam Albert Bucolli, i lindur në Poklek të Vjetër të Drenasit (Drenicë). Kam kryer shkollën fillore në Poklek të Vjetër dhe Gjimnazin në Drenas, në shkollën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Në vitin 1998, në moshën 18-vjeçare, iu bashkova Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shërbeva në „Brigadën e 114-të Fehmi Lladrovci“ në Zonën Operative të Drenicës deri në fund të vitit 1999. Në luftë ishim edhe 23 ushtarë nga familja ime e ngushtë, Bucolli. Pas përfundimit të luftës, kam punuar në Ministrinë e Rendit Publik të asaj kohe nga viti 2000 deri në vitin 2003.

Revista “Mërgata”:  Në cilin vit keni emigruar në Gjermani dhe si ndodhi kjo?

Albert Bucolli: Kam emigruar në Gjermani më 17 korrik 2003. Dëshiroj të përmend se bileten e udhëtimit ma bleu djali i axhës, Blerim Bucolli, për të cilin jam shumë mirënjohës. Kur kam arritur në München, kam pasur vetëm 20 euro në xhep.

Revista “Mërgata”:  Sa ishte e vështirë të largoheni nga familja dhe të emigroni?

Albert Bucolli: Ishte shumë e vështirë, sidomos të largohesha nga nëna, e cila gjithmonë më mbështeste dhe kishte frikë se mos nuk do të kthehesha më. Ajo më ndihmonte me copa buke gjatë shërbimit tim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kishte shqetësime të thella për sigurinë time. Pas përfundimit të luftës, ishte një vendim i vështirë të largohesha nga familja për të kërkuar një jetë më të mirë në emigrim.

Revista “Mërgata”:  Kur keni filluar të punoni në Gjermani, cilat ishin sfidat dhe vështirësitë kryesore?

Albert Bucolli: Në vitin 2003, kur kam ardhur në Gjermani, kishte një ligj që kërkonte dy vjet për të marrë leje pune. Gjatë kësaj periudhe, e kam shfrytëzuar kohën për të mësuar gjermanisht dhe për të ndjekur një shkollim në „Handwerkskammer Stuttgart“ për të fituar të drejtën për të hapur një kompani ndërtimi. Pas përfundimit të shkollimit dhe marrjes së lejes, hapëm kompaninë e parë, „SGN BAU BUCOLLI“, në vitin 2006. Pas një kohe, themeluam edhe kompaninë tjetër „Bucolli Maler & Stuckateur GmbH“, e cila kryen punimet në ndërtim komplet, nga fillimi deri në dorëzimin e çelësave.

Revista “Mërgata”:  Si lindi interesimi juaj për patundshmëri dhe çfarë rol luan kompania „Königs Villen Immobilien GmbH“ në këtë drejtim?

Albert Bucolli: Investimet e mia në patundshmëri janë një pasion i thellë që është rritur me kalimin e kohës. Kur vendosa të hy në këtë fushë në vitin 2012, nuk e kisha qëllim të kompletohesha si sipërmarrës, pasi isha i kënaqur me aktivitetet e mia në „SGN Bau Bucolli“. Megjithatë, dëshira për tu marrë me veprimtarinë afariste, me patundshmëri u bë e fortë, dhe tani jam përkushtuar plotësisht në këtë sektor në realizimin e projekteve e mia të patundshmërisë.

Revista “Mërgata”:  Ju së fundmi keni blerë një hotel dhe jeni duke e rinovuar. Kur planifikoni të bëni hapjen zyrtare?

Albert Bucolli: Po, në janar 2024, kemi blerë një zinxhir hotelesh nga një familje gjermane dhe jemi duke e rinovuar dhe dizajnuar. Do të lançojmë një markë të re për këtë zinxhir dhe do ta shtrijmë atë edhe në disa shtete të tjera të Evropës. Do t’ju informojmë me kohë për hapjen zyrtare, ku jeni të ftuar  edhe ju që të jeni pjesë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme në rrugëtimin tim afarist.

Revista “Mërgata”:  Nëse do të rendisnit pronat që keni në Gjermani, ku do ta vendosnit veten në këtë renditje?

Albert Bucolli: Do ta vendosja veten në vendin ku ndodhen njerëzit që punojnë dhe kontribuojnë. Nuk ka rëndësi rendi i numrave. Më e rëndësishme është që të ndjehesh i lumtur me punën që bën dhe të jesh i shpërblyer me përpjekjet dhe përkushtimin tuaj.

Revista “Mërgata”:  Si ka ndikuar puna në botën e biznesit në ndryshimin tuaj personal?

Albert Bucolli: Mund të them se kam evoluar, por nuk kam ndryshuar thelbësisht. Jam ende i njëjti njeri që mban fjalën, respekton familjen dhe miqtë dhe ushqen pasionet e tij me përkushtim, veçanërisht kur ato i shërbejnë klientëve dhe familjes time.

Revista “Mërgata”:  Ju shohim gjithmonë të shoqëruar nga vëllai juaj, Arianiti. Çfarë roli luan ai në iniciativat tuaja?

Albert Bucolli: Arianiti dhe unë kemi kaluar 27 vite së bashku, që nga mosha 13 vjeçare. Kemi punuar krah për krah dhe kemi përballuar çdo vështirësi së bashku. Kemi një lidhje të veçantë dhe nuk mund të ndaheshim nga njëri-tjetri. Jam me fat që kam një vëlla me karakter të fortë që më mbështet me sinqeritet dhe përkushtim në çdo ide. Po ashtu, kam edhe vëllanë e vogël, Taulantin, që gjithashtu na mbështet dhe na ndihmon shumë në biznes.

Revista “Mërgata”:  Si i konsideroni marrëdhëniet me bashkëpunëtorët dhe punonjësit tuaj?

Albert Bucolli: I konsideroj shumë të rëndësishëm dhe kam një raport të fortë motivimi dhe vlerësimi me ata që mbështesin vizionin dhe investimet e mia në kompani. Shpresoj që ata më shohin si një mik me të cilin mund të komunikojnë hapur, pavarësisht kërkesave të larta që kam, të cilat i aplikoj edhe ndaj vetes time, jo vetëm ndaj tyre.

Revista “Mërgata”:  Cili është sekreti i suksesit tuaj, z. Albert Bucolli?

Albert Bucolli: Sekreti është puna e palodhur. Filloj ditën në orën 7:00 të mëngjesit dhe e mbyll pas mesnatës. Kam një disiplinë të fortë në punë dhe përpiqem të jem një model për bashkëpunëtorët e mi, të cilët fatmirësisht e kanë vlerësuar këtë përkushtim dhe më kanë mbështetur.

Revista “Mërgata”:  Ju jeni gjithashtu një kontribuues i madh në aksionet humanitare dhe ngjarjet kulturore. Çfarë ju motivon për këtë angazhim?

Albert Bucolli: Familja ime, sidomos nëna ime, është burimi i motivimit tim për të ndihmuar të tjerët. Më ka mësuar që të ndihmojmë ata në nevojë dhe kjo është diçka që do të vazhdoj ta bëj gjithmonë.

Revista “Mërgata”:  Në fund, cili është mesazhi juaj për lexuesit e Revistës “MËRGATA” në Gjermani?

Albert Bucolli: Jeta është e lidhur ngushtë me familjen dhe punën. Fëmijët janë gjykatësit tanë më të mirë dhe ai që e kupton rëndësinë e punës së ndershme është gjithashtu i gatshëm të përballojë sfida të mëdha. Unë vazhdoj të mbaj betimin e dhënë në vitin 1998 për të kontribuar për atdheun tim, dhe besoj se ky duhet jetë mesazh dhe obligim për të gjithë bashkatdhetarët tanë që punojnë dhe jetojnë në Gjermani.