ATDHEU DUHET ME PUNË DHE E VEPRA, E JO VETËM ME FJALË
Veprimtari dhe afaristi z.Ukë Blakaj, është nga komuna e Istogut (Burimit). Ai me punën dhe përkushtimin e tij si veprimtar i shquar dhe afarist i suksesshëm, tanimë është një personalitet i njohur në mërgatën shqiptare në Gjermani. Uka, është një personalitet i urtë dhe i qetë, punëtor, human e njerëzor, njeri me kulturë, motivues dhe rrezaton vullnet dhe kurajo, është djali i Dëshmorit të Kombit, mësuesit Ukë Blakaj, prandaj sot ai është një veprimtar i shquar, sepse qysh si fëmijë është brumosur me humanizëm, patriotizëm dhe atdhedashuri. Uka u rrit me këshillat dhe u frymëzua nga babai. Sikurse, shumë të tjerë Uka si i ri, ishte pjesë e pandashme e ngjarjeve të shumta gjatë rrugëtimit historik, prandaj sot ai është një burrë me karakter të fortë dhe me virtyte të larta njerëzore.
Ukë Blakaj, siç e theksuam edhe më lartë është një personalitet i dalluar në Gjermani, përveç se është njëri ndër afaristët më të suksesshëm në Gjermani, si afarist i një konglomerati biznesesh, pronar i Korporatës “WOLF GROUP” në Künzell afër metropolit të Fuldës. Ai është zgjedhur në pozita të ndryshme dhe me përgjegjësi të tjera si kulturore dhe atdhetare. Ai, është kryetar i “Unionit të Bizneseve Shqiptare dhe Gjermane në Gjermani”, Dega për Republikën (Landin) Hessen, Rheinland-Pfalz dhe Saarland, kryetar i Këshillit të Shkollës Shqipe në Hessen, kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptare “KOSOVA” në Fulda, dhe së fundmi kryetar i Degës së AAK-së në Gjermani.
MËRGATA INFO: Zotëri Ukë Blakaj, me pak fjalë a mund të na flisni për personalitetin tuaj?
Ukë Blakaj: Unë jam Ukë Blakaj, jam nga fshati i bukur Lluga të Istogut. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kam mbaruar në Istog. Ndërsa i kam mbaruar studimet me korespodencë në Kolegjin e Biznesit në Prishtinë, në drejtimin për Menaxhment dhe Ekonomiks me Specializim në Biznes Menxhmenti.
Për shkak të rrethanave të asaj kohe, që Kosova gjendej nën pushtimin e egër serbo-sllav, ku familja ime ishte nën llupën e okupatorit, u detyrova qysh në moshë të re, si (17), vjeç të emigroj në Gjermani. Jetoj me familjen time, gruan Nadinën, djalin Mustafën, dhe vajzat Saren dhe Luanen.
Aktualisht jam pronar i Korporatës “WOLF GROUP” në Künzell, afër Fuldës.
MËRGATA INFO:Ju jeni edhe djali i Dëshmorit të Kombit, mësuesit Mustafë Ukë Blakaj, a mund të na thoni disa fjalë për babain tuaj, dhe cili ishte roli i tij në edukimin dhe formimin tuaj intelektual dhe atdhetar?
Ukë Blakaj: Babai im Mustafë Ukë Blakaj, ishte mësues. Ai tërë jetën e tij ishte i përkushtuar profesionit të tij të mësuesit që aq shumë e deshi, deri në rënien e tij su ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në altarin e lirisë. Roli i babait tim, në formimin tim intelektual dhe atdhetar ishte thelbësor. Mbaj mend, qysh si fëmijë i vogël na edukonte në frymën e vlerave kombëtare. Na fliste për parardhësit tanë Ilirët, Heroin Kombëtar Skënderbeun, Shaban Polluzhen, etj. Dëshira e tij ishte që ne të shkolloheshim, dhe të bëhemi shembull për të tjerët, kuptohet sepse ne ishim fëmijët e mësuesit Mustafë. Ne sot, babait tonë i jemi mirënjohës për përkushtimin e tij për ne në aspektine formimit human, njerëzor dhe kombëtar, sepse fare nuk e kishte të lehtë, kur dihet se babai që nga viti 1968, 1881 e deri në rënien e tij si Dëshmor, ishte aktiv dhe promotor i organizimit të demonstratave në mbështetje të të drejtave kombëtare shqiptare që shkileshin rëndë në ish-Jugosllavi.
MËRGATA INFO: Ju në moshë të re, si shumë të rinj të tjerë u detyruat të largoheni nga emigroni, cila ishte arsyeja kryesore?
Ukë Blakaj: E saktë! Sikurse shumë të rinj në atë periudhë, si pasojë e dhunës dhe represionit serb në Kosovë, ku shumë të rinj përndjekeshin dhe i nënshtroheshin dhunës së egër, disa dërgoheshin me dhunë në frontet e luftës në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje dhe Hercegovinë, edhe unë si shumë tjerë, pa dëshirën time u detyrova të emigroj në Gjermani.
MËRGATA INFO: Me emigrimin tuaj në Gjermani, cilat ishin vështirësitë e para që u ballafaquat, si dhe cili ishte angazhimi juaj në rrafshin kombëtar?
Ukë Blakaj: Me thënë të drejtën me emigrimin tim në Gjermani, vështirësitë ishin të shumta. Sfidë ishte mësimi i gjuhës gjermane, e mbi të gjitha jeta larg familjes dhe atdheut. Jetonim me mall dhe brengë që të dinim më shumë se ç’po ndodhte në Kosovë për zhvillimet dhe ngjarjet që ishin shpeshherë dramatike, dhe ne merziteshim shumë, sepse mundësitë për t’u informuar ishin të kufizuara. Unë personalisht me ardhjen time në Gjermani nuk kam qëndruar duarkryq, përveç punës isha aktiv gjithnjë, si në protesta, aksione humanitare, e sidomos me fillimin e Luftës Çlirimtare të UÇK-së, isha pjesë aktive në grumbullimin e mjeteve financiare për të ndihmuar luftën në Fondin “Vendlindja Thërret”. Deri në përfundim të luftës, pandërprerë kam dhënë angazhimin tim me një përkushtim të veçantë në mbështetje të luftës së lavdishme të UÇK-së.
MËRGATA INFO: Ju përveç se shquheni për një përkushtim të theksuar në angazhimin tuaj në aktivitete të shumta atdhetare dhe kulturore, ju sot jeni, njëri ndër afaristët më të suksesshëm shqiptar në Gjermani, a mund të na thoni se kur keni filluar të merreni me afarizëm dhe të na shpjegoni se cilat aktivitete afariste e biznesore kryen korporata e juaj “WOLF GROUP”?
Ukë Blakaj: Po është e vërtetë, qysh në vitin 2009, ëndrrën time për të themeluar një biznes timin u bë realitet. Asokohe, i shtyer dhe i motivuar edhe nga bashkëshortja ime, pas një pune dhe përkushtimin të jashtëzakonshëm dhe kursimeve që kishin, vendosa të themeloj Kompaninë që sot njihet me emrin Korporata “WOLF GROUP”. Kompania jonë në përbërjen e saj sot ka një konglomerat prej disa bizneseve, si Fabrikën për prodhimin e shtëpive të parafabrikuara që bëhet në Kosovë, firma për montimin shtëpive të parafabrikuara në Gjermani dhe shtete të tjera të Evropës, Firma për fasadimin e shtëpive, agjencionin e patundshmërisë, studio për dizajn dhe shtyp grafik dhe Hotelin “Wolf Hotel zur Linde”.
Të gjitha këto biznese, përveç fabrikës për prodhimin e shtëpive të parafabrikuara që është në Istog (Burim) në Kosovë, firmat tjera operojnë në Gjermani. Aktualisht, kemi të punësuar mbi 200 punëtorë në Gjermani, shumica punëtorë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe trojet tjera etnike. Ndërsa, në fabrikën në Kosovë, dhe Hotel “Skanderbeg” ku menagjon vëllau im Kastriot Blakaj, janë të punësuar afro 100 punëtorë. Kështu që deri më sot duke ju falënderuar punës dhe përkushtimit tonë dhe të punëtorëve, të gjithë klientët dhe punëdhënësit kontraktual janë shumë të kënaqur me realizimin e punimeve, si për efikasitetin dhe kualitetin e punëve të kryera, sipas standarteve të larta evropiane.
MËRGATA INFO: Sa është e lehtë apo e vështirë të keni një biznes në Gjermani, kur kemi parasysh tregun e kompanive të konsoliduara me standarde të larta teknike, strukturore dhe konkuruese, që ju me kompaninë e juaj të arrini aty ku jeni sot?
Ukë Blakaj: Shiqoni, në fillimet e saj asnjë biznes nuk është i lehtë, e sidomos nga të huajt që jetojnë dhe punojnë në Gjermani, mirëpo me seriozitetin, angazhimin, përkushtimin dhe disiplinën në realizimin e punëve që na janë besuar nga klientët tanë, ne sot jemi etabluar dhe konsoliduar mirë, i përmbushim të gjitha standartet e nevojshme si teknike, organizative dhe punuese, dhe jemi rivalë dhe konkurentë të denjë në tregun afarist në Gjermani.
MËRGATA INFO: Përveç tjerash ju keni investuar edhe në vendlindje, keni hapur fabrikën për prodhimin e shtëpive të parafabrikuara, çka ju shtyri që të ndërmerrni një hap të tillë?
Ukë Blakaj: Ishte një ëndërr e imja e kahershme, që të realizoj edhe amanetin e babait tim, Mustafë Blakaj, Mësuesit të Popullit, Dëshmorit të Kombit, i cili gjithmonë na porosiste që të kontribuojmë për atdheun, që vendi ynë të zhvillohet. Prandaj në vitin 2020, kemi hapur fabrikën për prodhimin e shtëpive të parafabrikuara në rrethin e Istogut, ku aty bëhet prodhimi i shtëpive të cilat janë kryesisht të dedikuara për eksport në Gjermani dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian. Me këtë investim me vlerë disa milionëshe, kemi dashur të tregojmë dhe dëshmojmë se vendi ynë Kosova ka perspektivë dhe një të ardhme të ndritshme. Prandaj, të rinjtë tanë mund të realizojnë të ardhmen e tyre në vendlindje, pa pasur nevojë të emigrojnë, sepse siç thotë një fjalë popullore: “Guri rëndë, peshon në vend të vetë”.
MËRGATA INFO: Përveç se jeni një afarist i suksesshëm, ju jeni kryetar i Unionit të Bizneseve Shqiptare dhe Gjermane për Hesen, Rheinland-Pfalz dhe Saarland, a mund të na flisni më shumë për qëllimin, rolin dhe detyrat e kësaj organizate të afaristëve shqiptarë në Gjermani?
Ukë Blakaj: Me Korporatën time “WOLF GROUP”, jam anëtar premium i Unionit të Bizneseve Shqiptare dhe Gjermane në Gjermani. Me riorganizimin e UB në Gjermani, janë themeluar degët e saj, kështuqë unë jam zgjedhur kryetar i Unionit të Bizneseve Shqiptare dhe Gjermane për Republikën (Landin) e Hessen-it, Rheinland-Pfalz-it dhe Saarland-it. Qëllimi i formimit të kësaj dege është rrjetizimi i bizneseve shqiptare në Gjermani, si dhe lehtësimi në bashkëpunimin ndër afaristët për realizimin e objektivave të UB në tërësi. Ne jemi ende në fazën e hartimit të planit të veprimit dhe hierarkisë organizative që më pastaj të fillohet me implementimin e detyrave dhe obligimeve tona në këtë drejtim.
MËRGATA INFO: Ju sot drejtoni me sukses edhe Shoqatën Kulturore Shqiptare “KOSOVA” në Fulda, dhe keni organizuar aktivitete të shumta kulturore e atdhetare, cili është interesimi dhe angazhimi i mërgimtarëve tanë në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave kulturore dhe kombëtare në mërgatë, e sidomos në rrethin ku ju veproni?
Ukë Blakaj: Komuniteti shqiptar në Fulda është i madh, poashtu edhe po rritet dita-ditës edhe më shumë, sepse sot Fulda me rrethinë është shndërruar në një kantinë ndertimi, si rezultat i një zhvillimi të përgjithshëm ekonomik në Gjermani. Shoqata Kulturore Shqiptare “Kosova” në Fulda, është themeluar në vitin 1991, dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për mërgatën shqiptare në Gjermani dhe në veçanti për vendlindjen, sidomos në rrethana të vështira historike për kombin dhe atdheun. Asokohe, një grup mërgimtarësh themeluan shoqatën, asokohe klubin “Kosova” në Fulda, dhe kanë zgjedhur kryetarin e parë të saj z. Blakçori. Prandaj, aktiviteti i shoqates ka vazhduar dhe vazhdon, natyrisht edhe me zgjedhjen time si kryetar i saj. Aktualisht, në kuadër të Shoqatës zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore, atdhetare dhe humanitare. Për çdo vit shfaqet një program i pasur kulturor e kombëtar me rastin e festave të Nëntorit dhe Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Ditës së Mësuesit, Ditës së Gruas për 8 mars, mbrëmje folklorike, promovime librash nga autorë të ndryshëm si dhe aksione humanitare. Shoqata Kulturore Shqiptare “Kosova” në Fulda duke ju falënderuar shumë afaristëve dhe anëtarëve të saj, japin një kontribut të çmuar në të gjitha aspektet, me qëllim të funksionimit dhe mbarëvajtjes së aktiviteteve të shumta në kuadër të shoqatës. Shoqata jonë është një ndër shoqatat më aktive në mërgatën shqiptare në Gjermani, ku për këtë dëshmon edhe interesimi i madh i mediave vendore dhe në Gjermani për publikimin e aktiviteteve tona.
MËRGATA INFO: Po ashtu, ju së fundmi jeni zgjedhur edhe kryetar i Këshillit të Shkollës Shqipe në Hessen, cili është angazhimi i juaj në këtë këshill?
Ukë Blakaj: Pas një pune, angazhimi dhe përkushtimi të jashtëzakonshëm të z.Fidan Ibrahimi, konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt, në bashkëpunim me shkollat shqipe me mësim plotësues, shoqatat dhe veprimtarë të dalluar, u themelua Këshilli i Shkollës Shqipe në Hessen. Kështuqë, unë u zgjodha kryetar i Këshillit të Shkollës Shqipe në Hessen. Dihet mirëfilli se në Gjermani jeton një numër i bashkëatdhetarëve tanë me familje, kështu që numri i fëmijëve është enorm dhe është imediate hapja e shkollave me mësim plotësues në shkollën shqipe. Duke u bazuar në përvojën time në organizimin e shkollës shqipe në Fulda, ku së fundmi kemi rihapur shkollën në objektin shkollor gjerman, tani përmes formimit të KSHSH-së në Hessen, janë krijuar kushtet dhe premisat që së bashku me kryesinë, shkollat, shoqatat dhe aktivistë dhe veprimtarë të vullnetit të mirë, të sensibilizohet mërgata me qëllim të shtimit të interesimit për fëmijët tanë për vijim në shkollën shqipe.
MËRGATA INFO: Shumë media përcjellin aktivitetet tua në të gjitha sferat, por përveç tjerash ju dhe shoqata e juaj keni ndërmarrë shumë aksione bëmirëse dhe humanitare, ku keni ndihmuar, a mund të na flisni pak më shumë për këtë?
Ukë Blakaj: Unë si afarist personalisht, dhe si kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Kosova” në Fulda, në bashkëpunim me kryesinë dhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në këtë rrethinë kemi organizuar shumë aksione bëmirëse dhe humanitare. Vlenë të përmendet organizimi i aksionit humanitar me rastin e tërmetit të fundit në Shqipëri, ku u ndërtua një shtëpi, si dhe shumë ndihma tjera për familjet në nevojë në Kosovë, Shqipëri, e kudo në trojet tona.
MËRGATA INFO:Ju përveç angazhimeve të shumta, jeni baba i tre fëmijëve, sa po gjeni kohë për familjen, sepse është vënë re se përveç jush, një angazhim dhe kontribut të jashtëzakonshëm si në aspektin afarist, po ashtu edhe kulturor, bashkëshortja e juaj së bashku fëmijët tuaj, është shumë e angazhuar në organizimin e aktiviteteve kulturore dhe në organizimin e shkollës për mësim plotësues në gjuhën shqipe në Fulda, prej nga ky motivim?
Ukë Blakaj: Po është e vërtetë, është një ngarkesë e madhe për mua, por njëkohësisht është nderë dhe privilegj që të marrësh mbi supe këto përgjegjësi. Fatmirësisht kam një staf të shkëlqyeshëm në kompaninë time, që tanimë është bukur mirë e konsoliduar dhe mua është mundësuar që të kontribuoj edhe në sferat tjera, si kulturore, atdhetare, politike dhe humanitare. Të gjitha këto punë dje aktivitete, si në planin biznesor dhe atdhetar, do të ishin të pamundura pa mbështetjen e familjes sime të ngushtë dhe të gjërë, e sidomos pa përkrahjen e bashkëshortës sime. Ajo është krah meje kudo, si në biznes, në organizimin e aktiviteteve kulturore, e sidomos në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Ajo i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme fëmijëve për edukimin dhe shkollimin e tyre, sidomos për mësimin e gjuhës shqipe. Sukseset e mia arritura në çdo sferë si në planin personal, profesional, afarist dhe kombëtar janë edhe rezultat i përkushtimit të bashkëshortës dhe familjes sime, kështuqë u jam shumë mirënjohës.
MËRGATA INFO: Duke ju uruar suksese në të gjitha sferat e jetës, z.Ukë Blakaj, cili është mesazhi i juaj në përgjithësi për mërgatën shqiptare në Gjermani?
Ukë Blakaj: Mesazhi im për mërgatën shqiptare në Gjermani dhe kudo që jeton nëpër botë është që të ndihmojmë njëri-tjetrin, të jemi, të bashkuar në realizimin e qëllimeve tona në të gjitha sferat dhe me krenari të ruajmë dhe kultivojmë vlerat tona kulturore, gjuhësore dhe kombëtare. Vlera këto të cilat pa hezitim, duhet jo vetëm t’i kultivojmë, por t’i prezentojmë dhe promovojmë në vendet mike, aty ku ne sot jetojmë. Prandaj ju i nderuari Argjend Hasani, autor i këtij libri të mrekullueshëm me titull: “MËRGATA SHQIPTARE NË GJERMANI”, jeni një ambasador i vërtetë i mërgatës shqiptare në Gjermani, sepse përmes këtij libri po prezantoni, promovoni dhe njëkohësisht po arkivoni aktivitetet e gjithmbarshme të mërgatës sonë. Mirënjohje dhe respekt për punën tuaj.
Suksese dhe mbarësi për të gjitha trojet tona, dhe mërgatën tonë kudo që jeton.