SAFET BOLETINI, MËRGIMTARI QË LA GJERMANINË

PËR T’ IU BASHKUAR LUFTËS PËR LIRINË E ATDHEUT

Safet Boletini, Komandant i Njësisë Speciale, “TIGRAT” në UÇK

Safet Boletini u lind më 13.6.1974 në fshatin Boletin, në djepin e kullave dhe gjakun e të parëve të tij, boletinëve. Qysh i ri ra në sy për shkathtësitë e bukura të trupit të tij. Ai ishte shtathedhur dhe korrpulent, serioz, por shumë tërheqës, i cili ia shton madhështinë këtij kreshniku të rrallë sypatrembur. Në periudhën e jetës së tij dolën në pah edhe disa cilësi shpirtërore, dallohet tek ndjenja e fortë e shoqërisë dhe dashurisë së pastër për Atdheun. Safeti ishte i dashur dhe besnik për shokët, kishte një zgjuarsi të natyrshme si dhe virtyte të larta njerëzore. Ai shihej se po bëhet një kreshnik i vërtetë, jo vetëm me trup, por edhe me shpirt. Safeti ishte fëmija i parë i baba, Zaqirit dhe nënë Nafijes, po ashtu edhe nipi i parë i gjyshit të Safetit, Brahimi. Gjyshi i Safetit, Brahimi ishte i biri i Hamitit. Hamiti ishte luftëtar i madh dhe i dalluar kundër armiqve të popullit shqiptar gjegjësisht kundër pushtuesve Osman. Vlen të përmendet kryengritja në vitin 1909-1910, me 30 qershor 4000 ushtarë rrethuan Boletinin. Në atë Betejë ishin mbledhur 1500 kryengritës dhe kishin mbetur 150 armiq të vrarë. Artileria turke mbi këto fshatra hodhi mbi 1200 granata, kështu që pas dy javë luftimesh, kryengritësit u tërhoqën përkohësisht dhe iu bashkuan Isa Boletinit.

Kryengritësit kishin vazhduar luftimet dhe çliruan Mitrovicën, Vushtrrinë, Prishtinën, Carraleven, Ferizajn, ku mbërrin deri te Gryka e Kaçanikut dhe u bashkuan me trimat e patriotit të madh Idriz Seferit, të cilët zhvilluan beteja të përgjakshme ku i shkaktuan humbje të mëdha armikut në njerëz po ashtu edhe në teknikë. Kështu që Hamiti u dallua në të gjitha betejat si trim i rrallë dhe sypatrembur.

Safeti ishte pesë vjeçar kur ishte ulur në bankat shkollore në kullën e Isa Boletinit. Ai e kreu shkollën fillore me sukses shembullor dhe pastaj e vazhdoi Shkollën e Mesme Teknike, (Elektroteknikën) në Mitrovicë, të cilën e kreu me sukses të shkëlqyeshëm. Në vitin 1989, kur Safeti ishte në vitin e tretë, atë e zgjodhën Kryetar të Rinisë në SHMT. Duke e parë situatën se si populli vihej në rrezik, ai iu vu në shërbim popullit të tij dhe organizoi protesta dhe njëkohësisht shpërndante parulla dhe pamflete nëpër qytet.

Safet Boletini, Komandant i Njësisë Speciale,

“TIGRAT”  me bashkëluftetarët e UÇK-së

Gjatë zhvillimit të protestave, në Veri të Mitrovicës në vitin 1989, te Ura e Gjakut protestuesit u përleshën me policinë. Kështu që policia me armë zjarri e godasin të riun Selam Vojvoden nga Llausha e Skenderajt.

Tafil Osmani së bashku me Safetin edhe pse ishin shumë të rinj, ata u përpoqën ta tërhiqnin zvarrë Salemin, i cili iu vdiq në prehërin e tyre .

Në vitin 199,  Safeti e mbaroi Shkollën e Mesme Teknike dhe u regjistrua në Fakultetin Teknik në Mitrovicë. Për shkak të frikës se pushteti aktual do ta burgoste atë, ai së bashku me babanë dhe gjashtë anëtarë të tjerë të familjes u detyruan ta lëshojnë Kosovën, më 25.11.1991 dhe të kërkojnë azil në Gjermani. Safeti edhe në Gjermani nuk rrinte i qetë për shkak të situatës që ishte në Kosovë, ai organizonte takime me qytetarët shqiptarë, që jetonin në mërgim, njëkohësisht bisedonte edhe me gjermanë për çështjen e Kosovës dhe zgjidhjen e problemit edhe pse e kishte kuptuar se kjo zgjidhje nuk zgjidhet ndryshe veç me luftë!

 Gjithëherë thoshte se Alfabeti i gjuhës shqipe fillon me shkronjën e parë (A) Atdhe që do të thotë se kemi obligim me çdo kusht duhet mbrojtur atdheun, prandaj që në vitin 1998 Safeti ishte betuar për hakmarrje se qysh si i ri e urrente “shkaun” dhe pa u hamendur vendosi t`i përgjigjet thirrjes së Atdheut dhe të kyçet në UÇK. Ai i lë dy prindërit, dy vëllezër e tri motra si dhe punën që punonte dhe u nis për në Kosovë. Kështu që në afërsi të kufirit gjermano-austriak policia kufitare e ndalin autobusin dhe e bëjnë një kontroll rutine. Një polic iu shtron pyetje udhëtarëve:

Ku po shkoni atje? Safeti iu drejtua policit: Po shkojmë në atdheun tonë, askush nuk mund të na ndaloj ta japim jetën për atdhe. Ju mund të më ndaloni sot, por unë prapë do të shkoj. Polici e kuptoi se Safeti ishte tepër i vendosur me vendimin e prerë të tij dhe pa u hamendur polici i uroi rrugë të mbarë edhe pse disa shokë të tij kishin probleme me dokumente udhëtimi.

Më 28. 5. 1998 i tërë grupi mbërrijnë në Shqipëri dhe menjëherë vazhduan rrugën për Tropojë, ku atje i vazhduan stërvitjet ushtarak. Më 16. 6. 1998 hynë në Kosovë me një sasi armatimi.

Pra, ky ishte kalimi i tij i parë në kufirin shqiptaro-shqiptar. Safeti ishte shumë i lumtur dhe krenar sepse për herë të parë mori pjesë në Betejën e Dukagjinit, pastaj të Drenicës dhe kaloi në Shalë të Mitrovicës.

Ardhja e Safetit në Shalë i veshur me uniformë të UÇK-së, e bëri zonën e kësaj ane më të fortë, pikërisht Brigaden 141, Mehë Uka. Shaljanët u gëzuan kur e panë njeriun e parë të asaj ane të veshur me uniformë të UÇK-së sepse me ardhjen e Safetit, Batalioni i dytë u bë më i fortë në ofenzivën e shtatorit 1998 në Sumë. Safeti aty u tregua sypatrembur, trim i shkathtë i cili pa mëshirë, shtinte në trupat e këmbësorisë armike, po ashtu edhe në makinerinë ajrore e sidomos të helikopterëve të cilët fluturonin mbi Sumë. Armiku duke e parë rrezikun i ndërprenë fluturimet e ulëta.

Më 25. 12. 1998, me lejen e Shtabit, u detyrua të kthehet në Gjermani për t`u kuruar sepse lëngonte nga gjuri i djathtë. Pas suksesit që pati, menjëherë angazhohet në aktivitetin e tij dhe kontakton me kryesinë  e Fondit “Vendlindja Thërret”, kërkonte ndihmë urgjente për Zonat e Shalës.

Më 27 mars 1999 kur filloi bombardimi i Forcave Aleate Veri-Atlantike të NATO-s mbi agresorin, Serbinë, Safeti bashkë me disa shokë, më 30 Mars merr rrugën për Shqipëri dhe lajmërohet në Shtabin e UÇK-së. Ai pasi i kreu disa detyra në Shtabin e UÇK-së më 28. 4. 1999 shkon në Qendrën stërvitore në Burrel. Safeti vërtet ishte i shkathtë dhe shkathtësia dhe trimëria e tij iu ra në sy eprorëve ushtarak të Shqipërisë dhe të NATO-s si dhe shokëve të tij, kështu që ata donin ta angazhonin që të merr përsipër Batalionin 02, mirëpo, Safeti nuk kishte synim të ndonjë grade ushtarake dhe këtë detyrë, ia la eprorit Fazli Berisha, ndërsa vet e themeloi Njësinë Speciale Vëzhguese Diverzante. Në këtë njësi u lajmëruan shumë djem dhe vajza nga të gjitha trojet shqiptare, edhe pse ishte numër i kufizuar jo më shumë se 110 veta.

Angazhimi dhe syqeltësia e tij i ra në sy një eprori të NATO-s, i cili i kishte thënë Safetit: Se qenke i shpejt si TIGËR dhe shpresoj se këta bashkëluftëtarë do t`i bësh të shpejtë, TIGRA të vërtetë. Ai e falënderoi eprorin për komplimentin dhe sugjerimin e emrit dhe me një dëshirë të madhe e pagëzoi me këtë emër: NJËSIA SPECIALE, “TIGRAT”.

Safeti ishte i afërm me shokë si dhe me eprorët e NATO- s dhe të atyre shqiptarë sepse e njihte mirë gjuhën angleze gjermane dhe me ushtarakët e NATO-s komunikonte dhe mësonte shumë nga ta.

Ai i kërkoi edhe 300 ushtarë për ushtrime intensive më të vështira për përgatitje fizike dhe teknike. Ai Njësitin e ngriti profesionalisht dhe teknikisht .

Përreth kufirit shqiptar dhe brenda tij, ushtria serbe e kishin minuar territorin që ata pretendonin se ishte i tyre, prandaj Safeti bashkë me shokë e ndërmorën një ofenzivë për çmontimin e minave, jo vetëm përreth kufirit, por edhe në brendi. Ky njësit bëri luftime të rrepta ballë për ballë me armikun, i cili i shkaktoj humbje në 50-60 ushtarë dhe në teknikë.

Më 31. 05. 1999 në orën tetë të mëngjesit ishte një ditë e vështirë dhe e kobshme për Njësitin e Safetit, sepse ishin mu në vijën e frontit si dhe në thellësinë e forcave të armikut, duke luftuar ballë për ballë me ta.

Në pamundësi që armiku t`i zbulonte aftësitë dhe trimëritë e luftëtarëve tanë, për shkak të humbjeve të mëdha përdori artilerinë e rëndë sepse ndryshe nuk kishte mundësi t`ia dilnin me Safetin dhe shokët e tij. Ata hodhën dhjetëra predha “Kaqusha” të cilat ishin të kobshme për Safetin dhe shenjëtarin (snajperistin), Ejup Kosumin dhe një bashkëluftëtar të tyre Mehdiun, i cili u plagos.

Safeti dhe Ejupi luftuan bashkë me shumë luftëtarë dhe u ngritën lart  në Altarin e Lirisë që Kosova mos të bie në duart e armikut. Ai  thoshte: “Rroftë Shqipëria Etnike!“, të cilën shumë e donte dhe u flijua për të.

Lavdi Heroit Safet Boletini dhe gjithë Dëshmorëve të Kombit!