BUKURIJE BUSHATI
BIOGRAFIA
Bukurije Bushati u lind në Durrës 18 prill 1956 dhe prej 25 vitesh jeton në Frankfurt të Gjermanisë së bashku me familjen. Ka mbaruar Fakultetin Juridik në Universitetin e Tiranës. Shkruan poezi, por më shumë i është përkushtuar prozës, në zhanrin e romanit dhe tregimeve. Shkruan edhe për fëmijët. Lexuesi e njeh krijimtarinë e saj në një vëllim me poezi, një përmbledhje tregimesh dhe disa romane. Tematika e krijimtarisë së saj janë temat sociale të aktualitetit me të cilat përballet shoqëria jonë sot. Kryesisht i kushton vëmëndje figurës së gruas dhe rolit që duhet të ketë ajo në shoqëri.
Veprat e autores:
“Pafajësi nëne”, roman
“Arta”, roman
“Borjana”, roman
“Enigma ime, Lira”, roman
“Prostitutë më bëri nëna”, roman
“Një mik i mirë”, roman për fëmijë
“Buzëqeshje, me gjurmë lotësh”, tregime
“Shpirti im vagabond”, poezi
“Pesh’ore shpirti”, ese poetike
“3 gojë, të pangopurat e jetës sime”
Bukurije BUSHATI
LUTJE
Zemërimi i Poseidonit.
Atje kontinenti dridhet nën ethe,
frika ka futur duart e globit në korent,
e dridhet pa fund,
zemërimin përplas brigjeve Poseidon,
shkumë nxjerr buzëve,
tokën tund e shkund…
Mbaj dorën o Zot!
Zemërimin e Poseidonit kaloje shpejt,
sa më pak britma, sa më pak lot,
sa më pak humbje,
e nesërmja të jetë,
përsëri Jetë!
Jemi ndarë kontinenteve,
por zemrat bashkojmë në një,
dridhjet transmetojnë venat e globit,
jam edhe unë atje,
je edhe ti,
duart bashkuar qiellit,
lutemi në Perëndi.
Mbas këtij zemërimi duam qetësi,
duam buzëqeshjet e fëmijëve,
të ndrisë dielli,
të çelë lulja përsëri,
të jetë ditë e qeshur me zë,
Kjo Botë të jetë e bukur,
po lutemi edhe për të!
Shuaja zemërimin O Zot,
Ve dorën e shpëto këtë botë!