Qytetin e madh të Manheimit me qytetin Ludwigshafenit e ndanë vetëm ura, e cila mban emrin “Konrad Adenauer“. Në këto mjedise jeton dhe punon një komunitet i madh i mërgimtarëve shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare . Ngulitja e mërgatës shqiptare, po ashtu edhe në këto mjedise zë fill në fund të viteve 60-ta, atëbotë të njohur si “gastarbeiter”, punëtorë me qëndrim të përkohshëm, por që rezultoi të jenë të përjetshëm, dhe që u detyruan ta ngrysin jetën larg atdheut. Për gjatë dekadës së përndjekjes dhe dhunës sistematike serbe, në vitet e 90-ta, numri i mërgimtarëve u shumëfishua. Erërat e demokracisë, me nismat në Gdansk të Polonise dhe demokracisë perëndimore, tunden po ashtu edhe themelet e krijesës artificiale, Jugosllavisë. Për rrjedhojë edhe Kosova dhe populli i saj u përfshinë në vorbullën e lëvizjeve demokratike të Evropës Lindore dhe Ballkanike. Kosova për ndryshim nga vendet e tjera ishte okupuar nga Serbia. Konfrontimet, përballimet e popullit të Kosovës afro njëshekullore kundër pushtuesit serbo-sllav u reflektuan edhe në mërgate. Bashkëjetesës së klubeve të popujve të Jugosllavisë në mërgatë i kishte ardhur fundi. Ndarja ishte e pashmangshme. Ndonëse shqiptarët ishin kudo shumicë, klubet dhe shoqatat u „pushtuan“ nga brenda, nga ish strukturat e UDB-së. Kështu që, me krijimin e rrethanave jo të favorshme për mërgatën shqiptare edhe në kuadër të këtyre klubeve dhe shoqatave, mërgimtarët tanë formuan shoqatat dhe klubet e tyre konform rrethanave dhe gjendjes së krijuar ne përputhje me nevojat që kishte mërgata shqiptare në Gjermani dhe atdheu ynë, Kosova e pushtuar.
Kryesia e Shoqatës Kulturore Shqiptare „Dardania“ në Manheim
Naser Hoxhaj, kryetar
Vehap Zuka, zv.kryetar i parë
Shaqir Hoxha, zv.kryetar i dytë
Musa Latifi, sekretar
Jeton Sylejmani, arkatar 1
Jeton Hoxha, arkatar 2
Adem Buzuku, përgjegjës për sport
Bekim Bilalli, përgjegjës për media
Mustafë Cacaj, anëtar
Kujtim Metaj, anëtar
Xhevdet Arifaj, anëtar.
Në fillim të viteve 90-ta, në lokalet e ish klubit në Mannheim, një grup i intelektualëve dhe veprimtarëve të kauzës kombëtare, themeluan Shoqatën Kulturore Shqiptare „Dardania“ në Manheim. Me rastin e themelimit të shoqatës në kuvend prezent ishte edhe profesori nga Tirana, z.Astrit Leka, pinjoll i familjes Leka nga Borshi i Sarandës, tashmë i njohur me realizimin e vendosjes së Bustit të Skënderbeut në parkun buzë Liqenit të Gjenevës, si dhe punës së tij, kolosale për ta bërë të njëjtën gjë edhe në kryeqendrat e shteteve të tjera të botës, si dëshmi e kontributit të dhënë të shqiptarëve për mbrojtjën e civilizimit evropian. Me propozimin e kryetarit aktual z.Naser Hoxhaj, dhe të sugjeruar nga mysafiri, profesor Astrit Leka, Shoqata Kulturore Shqiptare në Manheim, u pagëzua me emrin Dardania. Shoqata Kulturore Shqiptare „Dardania“ në Manheim, është bartëse dhe shpeshherë qendër e organizimeve të aktiviteteve dhe evenimenteve të mëdha kulturore dhe atdhetare, jo vetëm në Manheim dhe rrethinë, por edhe në tërë Gjermaninë. Kryesia e kësaj shoqate punon në baza vullnetare dhe qëllimi i saj është integrimi i mërgatës shqiptare në shtetin ku jetojnë dhe punojnë si dhe bëjnë promovimin dhe ruajtjen e vlerave gjuhësore, kulturore dhe kombëtare shqiptare. Në qytetin e Mannheimit, Shoqata Kulturore Shqiptare „Dardania“ brenda një viti organizon shumë aktivitete dhe manifestime kulturore dhe njëkohësisht merr pjesë në manifestime të ndryshme kulturore të komuniteteve të ndryshme që mbahen në Mannheim.
Shoqata Kulturore Shqiptare „Dardania“ prezanton me shumë fanatizëm e besnikëri vlerat tona kulturore, kombëtare edhe shtetërore, ku për këtë janë vlerësuar dhe ndihmuar nga pushteti komunal i qytetit të Mannheimit.
Përpos shumë aktiviteteve që kjo shoqatë ka realizuar në Gjermani dhe në të gjithë mërgatën ishte „Kuizi i Diturisë“ për nxënësit me mësim plotësues në gjuhën shqipe, për vitin shkollor 2009/2010, i cili u mbajt në Mannheim, nën patro-natin e SHKSH „Dardania“ dhe Shkollës Shqipe „Shotë Galica“ në Mannheim.
Për 15 vjet me radhë, shoqata organizon turnirin tradicional në futbollit „Dardania Cup“, në nivel Gjermanie. Turniri në futboll ndihmon shumë në njohjen dhe komunikimin në mes të rinjve, komunikimin dhe lidhjet me mjediset e tjera ku jetojnë mërgimtarët tanë shqiptarë.
Shoqata Kulturore Shqiptare „Dardania“ është shumë aktive edhe në realizimin e aksioneve humanitare, sidomos për zbutjen e varferisë për shumë familje në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare. Është ndihmuar në shërimin e të semurëve, ndihmë për përmbytjet në Shkodër, për të goditurit nga shpërthimi shkatërrues në Gërdec të Tiranës, dhe kanë ndërtuar disa dhjetëra shtëpi, si dhe shumë e shumë ndihma të tjera.