NË MËRGATËN SHQIPTARE NË GJERMANI
BIB NOKAJ, VEPRIMTAR I DALLUAR
NË MËRGATËN SHQIPTARE NË GJERMANI
Bib Nokaj u lind më 23. 05.1948 në Marmull të Gjakovës. Shkollimin e mbaroi në Bishtazhin. Në vitin 1970 emigroi në Gjermani, ku jeton edhe sot me bashkëshorten dhe tre djemtë.
Pas emigrimit në Gjermani edhe z. Bib Nokaj sikur e gjithë mërgata nuk qëndron duarkryq. Ai u mobilizua dhe iu rrek organizimit të aktiviteteve atdhetare në radhë të parë sensibilizimin e qytetarëve dhe strukturave shtetërore gjermane për kauzën tonë shqiptare në Kosovë, si dhe mbështetjen e gjithmbarshme të atdheut. Burgosjet, represioni dhe mohimi i të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, shkaktoj protesta tek mërgata shqiptare në Gjermani, ku z.Bib Nokaj ishte pjesëmarrës i rregullit e shpesh edhe organizator, si ajo e datës 04.04.1998 para Rathaus në Hagen, kundër represionit dhe gjenocidit serb në Kosovë.
Nevoja për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare tek brezi i dytë i mërgatës e motivon z. Bib Nokajn për hapjen e shkollës me mësim plotësues në gjuhën shqipe në Hagen, dhe më 1985 së bashku me komunitetin shqiptar të Hagenit ia arrijnë qëllimit për hapjen e shkollës shqipe në Hagen.
Në vitin 1991 së bashku me një grup atdhetarësh e formojnë shoqatën ,,Nëna Terezë” me seli në Dortmund, në të cilën z. Bib Nokaj zgjidhet kryetar i ,,Komisionit të Kontrollës”, nga e cila shoqatë janë dërguar në Shqipëri disa maune me ndihma dhe ilaçe.
Në mars te vitit 1992 z. Bib Nokaj zgjidhet kryetar i Klubit Kulturor ,,Anton Çetta“, në Hagen, ku së bashku me kryesinë e klubit, lokalin e saj e shndërruan në vatër patriotike, kulturore e financiare për atdheun. Në këtë vatër përformuan nga fatosat deri te yjet e estradës shqiptare, politikanë e intelektualë të shquar si profesor Anton Çetta, dr. Fazli Syla, akademik Mark Krasniqi, dr. Zekerija Cana, Engjëll Sedaj, Dom Lush Gjergji, dr. Mujë Rugova, Azem Shkreli, i cili ishte edhe anëtar nderi i klubit. Komplet qeveria në ekzil me Kryeministër Bujar Bukoshin, etj.
Pasi e mori kryesinë e Shoqatës ,,Anton Çetta“, z. Bib Nokaj zgjidhet edhe kryetar i ,,Bashkimit të Klubeve Shqiptare” në Landin e NRW-së, e që me përkushtim të madh hapin edhe disa klube kulturore shqiptare në qytete të ndryshme në Landin e NRW-së.
Me një unanimitet të plotë dhe përkrahje të gjerë nga komuniteti shqiptar i Hagenit dhe rrethinës, z. Bib Nokaj zgjidhet kryetar i komisionit për Fondin e Qeverisë së Republikës së Kosovës 3%, për Hagen, Wuppertal, Solingen, Remscheid, Gevelsberg, Ennepetal, Lüdenscheid, Altena dhe Iserlohn, si dhe anëtar i komisionit për Landin e NRW-së. Kurse gjatë kohës së luftës në Kosovë z. Bib Nokaj e udhëheq edhe ,,Shtabin e Emërgjencës” me të cilin shtab arrin t`i grumbullojë jashtë detyrimeve mujore, në aksione të ndara për kohë të shkurtër 83.000 dhe afër 120.000 Marka gjermane për Fondin e 3%-it.