INTERVISTË ESKLUZIVE ME FILANTROPIN LAZIM DESTANI

‘Bashkimi bën fuqinë’, sado të fuqishëm të jenë biznesmenët individualisht, sinergjia e tyre do të paraqiste një fuqi shumëfish më të madhe dhe kjo do të prodhonte efekt shumë më të madh në krahasim me efektet individuale. Për ekonominë e vendeve tona, një bashkim i këtillë i biznesmenëve nga diaspora dhe i atyre me aktivitete në vend, do të ishte një kombinim që do sillte mrekullira.

  • Pse dhuroni, çka ju shtyn dhe çfarë ndjenje ju sjell ndarja e të mirave me të tjerët?

Shoqëria njerëzore, që nga hapat e parë të organizimit shoqëror primitiv e gjer më sot, ka qenë, është dhe do të mbetet në kontinuitet zhvillimi. Synimi për një jetë më të mirë e më cilësore është motivi që i lëviz gjërat përpara drejt ndryshimit e zhvillimit. Pikërisht ky tipar e kjo tendencë e natyrshme e shtyn njerëzimin drejt niveleve më të larta të organizimit të jetës shoqërore.
Prapëseprapë, në të gjitha kohërat përfshirë dhe të sotmen, një pjesë e shoqërisë njerëzore ka qenë dhe është në varfëri, dhe kjo shtresë ka nevojë për mbështetje. Kuptohet, këtë kategori shoqërore mund ta ndihmojnë ata që kanë më shumë. Gjithsecili që ka mundësi të dhurojë e të ndihmojë, këtë duhet ta bëjë. Unë jam njëri nga ata që duan t’u dalin në ndihmë njerëzve në nevojë. Unë dhuroj sepse e dua të ardhmen e fëmijëve tanë, e dua të ardhmen e vendit e të rajonit tonë, e dua një të ardhme më të mirë për gjithë njerëzimin anembanë botës.

Ndarja e të mirave me të tjerët për mua gjithmonë ka qenë pjesë e pandashme e aktiviteteve të mia, ndërsa tash e shumë vite, aktivitetet nga fusha e filantropisë i kemi ngritur e sistemuar në kuadër të grupacionit të bizneseve familjare.

Përgjegjësia shoqërore e grupit të bizneseve tona familjare është thellë e mishëruar tek filozofia sipas të cilës, – kur gjërat ndahen, ato zvogëlohen, por kur pasuria apo begatia ndahet me të tjerët, ajo gjithnjë rritet! Kontributi me ndihma e donacione ndaj shoqërisë më sjell ndjenjë të veçantë kënaqësie, gjej gëzim dhe lumturi tek gëzimi dhe lumturia që u sjell të tjerëve.

  • Sa po arrin filantropia të mbulojë zbrazëtirat e investimeve qeveritare për mirëqenien sociale në trojet tona?

Investimet qeveritare për mirëqenien sociale në trojet tona apo në rajonin tonë, nuk arrijnë të sigurojnë vende pune dhe mirëqenie të mjaftueshme për popullatën. Me donacione nga fusha e bamirësisë mund të bëhet zbutja e situatës, ndërsa me aktivitete filantropike, ku të përfshihen dhe projekte investimesh për të krijuar vende pune, do të mund të bëhej më shumë. Prandaj iniciativat e filantropëve padyshim do të ishin një impuls dhe një kontribut në drejtim të përmirësimit të jetës së qytetarëve në trojet tona. Unë njoh një numër biznesmenësh shqiptarë që kanë bërë investime të këtilla, pra e kam fjalën për investime në sensin e aktiviteteve filantropike, që domethënë, synim i tyre i fundit nuk është profiti por hapja e vendeve të punës, pra është kontributi për mëkëmbjen e ekonomisë dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve. Të këtilla kanë qenë edhe disa investime të mia në trojet tona ndërsa në këto momente që po flasim ne kemi një numër projektesh të gatshme për realizim dhe jemi në pritje për të marrë pëlqimin e qeverive të vendeve të rajonit tonë. Investitorët e këtillë janë të vetëdijshëm për kontributin e tyre ndaj shoqërisë dhe ata investojnë jo thjesht për t’i sjellë vetes përfitime por për ta përmbushur synimin e tyre parësor.

  • Si duhet të organizohen aktivitet e filantropëve për të patur më shumë rezultate?

Është ajo thënia e njohur gjithandej, ‘Bashkimi bën fuqinë’. Sado të fuqishëm të jenë biznesmenët individualisht, sinergjia e tyre do të paraqiste një fuqi shumëfish më të madhe dhe kjo do të prodhonte efekt shumë më të madh në krahasim me efektet individuale. Për ekonominë e vendeve tona, një bashkim i këtillë i biznesmenëve nga diaspora dhe i atyre me aktivitete në vend, do të ishte një kombinim që do sillte mrekullira. Unë jam i bindur se edhe autoritetet e qeverive tona do ta prisnin krahëhapur një iniciativë të këtillë. Dhe me këtë rast do ishte e nevojshme të përpilohen programe dhe strategji qeveritare për ta mbështetur e për të bashkëpunuar me një organizëm sinergjie të këtillë.

  • A mendoni se përgatitja e kuadrit ligjor për filantropinë do të inkurajonte më shumë biznese të dhurojnë?

Sigurisht që përgatitja e kuadrit ligjor për filantropinë do të ishte inkurajuese. Rregullimi i një kuadri të këtillë ligjor do të sillte lehtësira në planifikimin, organizimin dhe kanalizimin e donacioneve dhe investimeve nga sfera e filantropisë. Përpos kuadrit ligjor duhet të krijohen edhe kapacitete institucionale që i motivojnë dhe i ‘shpërblejnë’ aktivitetet filantropike, ashtu siç praktikohet në botën Perëndimore.

Mendoj se ekspertët e kësaj fushe do ishte mirë t’i shqyrtojnë praktikat e vendeve të zhvilluara, të shikojnë si i kanë zgjidhur e rregulluar ata këto çështje. Pse mos të shfrytëzohen eksperiencat e vendeve perëndimore që këto çështje i kanë kaluar shumë dekada më parë dhe janë dëshmuar si të suksesshme.
Do të ishte shumë më produktive dhe efektive filantropia të rregullohet e motivohet me ligje përkatëse së pari si biznese (aktivitete) sociale të qëndrueshme dhe së dyti të motivohet nga politikat fiskale (tatimore).

  • Në cilën sferë mendoni se është më e nevojshme të ndërmerren aktivitete filantropike dhe pse?

Do të thoja gati të gjitha sferat kanë nevojë për mbështetje me aktivitete filantropike. Ndër to, arsimi, shkenca, kultura, shëndetësia, sporti, mjedisi jetësor, janë sferat që do t’u jepja prioritet. Pastaj ngritja e çerdheve për fëmijë, azileve për pleq, qendrave për trajtimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, gjithashtu janë shumë të rëndësishme dhe në pritje për të gjetur zgjidhje.
Trojet tona kanë popullatë me moshë të re, kemi shumë rini dhe rinisë sonë i duhet shkollim modern, me pajisje bashkëkohore, me hapësira të bollshme për edukimin fizik, ndërsa me rëndësi të veçantë i shikoj alternativat e reja të shkollimit të mesëm, shkollat profesionale. Këto ditë lexova diku se vetëm në Maqedoni kemi 18% të papunë ndërsa po këtu kishte 18 000 vende pune që nuk mund të gjejnë punëtorë të trajnuar për nevojat që kanë. Ky paradoks ndodh sepse atyre që kërkojnë punë u mungojnë përgatitjet profesionale, u mungojnë trajnimet e nevojshme. Kjo tregon se në vendet tona na duhen shkolla të mesme profesionale të lidhura me kompanitë ku nxënësit gjysmën e kohës e kalojnë në shkollë dhe gjysmën me punë praktike nëpër kompani apo uzina zejesh të ndryshme. Kjo mënyrë shkollimi nuk është e panjohur, Gjermania tash e shumë dekada e zbaton këtë.

Një shoqëri e edukuar, me kulturë dhe me mjedis jetësor të pastër është pasqyrë që të nderon e që premton të ardhme të lumtur. Le të japim kontribut për ta bërë këtë realitet.