AFARISTI MIRAN HASANI, SHEMBULL I SUKSESIT NË GJERMANI

Shkruan: Argjend Hasani

Në autorrugën, siç njihet nê Gjermani, në autobahnin numër 66, në dalje nga ajo për në qytetin Eichenzell, afër Fuldës, diku 400-500 metra, në anën e majtë bie në sy, një godinë e madhe, e cila të krijon një përshtypje nga pozicioni dhe forma e ndërtimit, në dukje e ndërtuar, siç themi ne “në ballë të oxhakut”.
Tabela e madhe, që shihej në sfond nga një largësi e konsiderueshme, me mbishkrimin e emrit të kompanisë “Baudekoration Hasani GmbH”,  na bënte me dije, se kemi arritur pas një rruge relativisht të gjatë në cakun e dëshiruar. 
Pasi parkuam makinën në parkun e kompanisë, shihen në depon gjigante prej afro njëmijë metra katror, dy punëtorë duke punuar. Depoja ishte e mbushur përplot me material suvatues. Iu themi në shqip, “Puna e mbarë burra”, i buzëqeshur nga përshëndetja në shqip, ai na e ktheu “Mbarë paqi-Mirë se erdhët”.
Ky burrë i urtë, i sjellshëm dhe punëtor, i një moshe më mesin e pesëdhjetave, pasi i treguam kush jemi dhe qëllimin e vizitës, në bisedë e sipër na tregoi se quhej Sali Hasani, babai i afaristit  të suksesshëm “Baudekoration HASANI GmbH” në Eichenzell.
Më pas hymë në zyret e kompanisë, aty me një mikpritje dhe ngrohtësi, na priti pronari i Kompanisë z.Miran Hasani. Ishte kënaqësi gjatë bisedës të dëgjosh për të arriturat dhe sukseset e afaristëve shqiptarë në biznes.
Argjend Hasani, kryeredaktor i portalit informativ mergata.info-de, së bashku me afaristin Mitan Hasani, gjatë vizitës në Kompaninë “Baudekoration HASANI GmbH” në Eichenzell 

Kompania “Baudekoraton Hasani GmbH” në Eichenzell, veprimtarinë e saj në afarizëm në lëmin e fasadimit e ka filluar që nga viti 2014, dhe për një kohë relativisht ka arritur të ketë afër 100 punëtor, kryesisht shqiptarë. 
Kjo kompani, sipas afaristit Miran Hasani, është duke shënuar rezultate rekorde në cilësi dhe produktivitet, ku vetëm në vitin e kaluar ka kryer punimet në fasadimin e 1700 shtëpive të gatshme, të njohura si “Fertighaus”, llogaritet kompania e dytë e sukseshme në rajon. 
Përveç suvatimit-suvatimit, kjo kompani ofron montimin e skeleve, si dhe ofron material fasadues për firmat tjera të kësaj lëmie.
Kompania në fjalë në krye me afaristin e ri nē moshë dhe tejet ambicioz, me punën dhe efikasitetin e dëshmuar, ajo jo vetëm se operon në tregun e ndërtimit në Gjermani, por ajo e ka zgjeruar punën e saj edhe në Itali, Zvicër, Belgjikë, Holandë, Luksemburg dhe Austri.
Miran Hasani, i cili është nga Reçani i Therandës, me modesti flet për sukseset e kompanisë së tijë, por gjatë bisedës kuptuam dhe pastaj e vizituam edhe objektin e ri të ndërtuar me një sipërfaqe prej afër një mijë metra katror, dhe oborr prej afro 30 ari,  që në të ardhmën do të shërbente për qëllim të zgjerimit të kapaciteteve të kësaj kompanie në afarizëm. 
Kompania “Baudekoration HASANI GmbH”, bashkëpunon ngusht edhe me 17 biznese tjera, kryesisht shqiptare dhe për punëtorët e saj ofron seminare të shumta profesionale nga ekspertët e lëmit të fasadimit.
Afaristi Miran Hasani, edhe pse i ri në moshë, është ambicioz, plot energji, atdhedashës dhe humanist,  ai edhe pse larg vendlindjes, së bashku me gruan, fëmijët si dhe prindërit e tij, vizitojnë Kosovën, dhe shpeshëherë ndihmon familjet në nevojë, dhe është kontribues në aksionet e shumta humanitare, dedikuar vendlindjes.
Derisa këtij takimi po i vinte fundi, shiheshin automjetet e shumta që pas përfundimit të punës ktheheshin në kompani, dhe tregonin për punët e kryera. Nga kjo vizitë, u ndamë shumë të kënaqur, me mikpritjen dhe bujarinë, e mbi të gjitha me sukseset e afaristit modest Miran Hasani. 

Stafi i redaksisë së Portalit Informativ “MËRGATA SHQIPTARE NË GJERMANI”, përveç sukseseve, i uron edhe ditëlindjen, shëndet dhe mbarësi.