AHMET KONJUSHA, KAMERAMANI I SUKSESSHËM NË MËRGATË
Si kamerman, tani një kohë të gjatë Ahmet Konjusha me kamerën e tij, êshtë kudo në mërgatën shqiptare në Gjermani, duke xhiruar aktivitete të shumta të mërgimtarëve tanë siç janë aktivitetet kulturore, atdhetare, arsimore, afariste etj.
Ai pa hezitim, aty ku zhvillohen këto aktivitete, manifestime e suksese të mërgimtarëve tanë ë Gjermani, i xhiron me mjeshtëri si kameraman profesionistë dhe pastaj emitohen në emisionet e Radio Telivizionit të Kosovës (RTK-së), që i dedikohen mërgatës.
Ahmet Konjusha, u lind në Hade të Prishtines, ku e kreu shkollën fillore, ndërsa të mesmen në Obiliq kurse studimet në Mitrovicë.
Në vitin 1980 punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës (RTP), në cilësinë e xhiruesit ENG, me kamera mobile. Në RTP, punoi deri në mbylljen e saj nga okupatori serb me 05 korrik 1990. Pas largimit nga RTP-ja, filloi të punoj për Radio Televizionin e Zagrebit (RTZ ),) përkatësisht në Radio Telivizionin e Kroacisë (HRT). Ai gjatë kohës së okupimit serb në Kosovë, njëkohësisht ka xhiruar edhe për Qendrën Informative të Kosovës (QIK). Ka xhiruar konferencat për shtyp të ish-presidentit Ibrahim Rugova, si dhe takimet e shumta të delegacioneve të ndryshme që realizoheshin në ato vite të rënda nën okupim. Ka bashkpunuar ngusht me ish kolegët tij nga RTP-ja, Enver Malokun dhe Xhemajl Mustafën.
Ahmeti në vitin 1991 arrestohet, ku maltretohet dhe i shkaktohet dhunë psiko-fizike nga milicija serbe, sepse ishte asokohe, korespondent i HRT1 dhe punonte edhe xhironte aktiviteret e QIK-ut.
Si pasojë e dhunës dhe represionit serb në Kosovë, atij i pamundësohet ushtrimi i profesionit, kështuqë si shumë bashkatdhetarë të tjerë, detyrohet ta lë Kosoven në maj te vitit 1993 dhe të migroj në Gjermani.
Po në atë vit, filloi menjëherë punën në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH)- në progarmin satelitor, që transmetohej me një kohëzgjatje për dy orë për zhvillimet në Kosovë, pasi që në vendlindje ishin mbyllur të gjitha mediat shqiptare.Në vitin 1999, ishte i angazhuar të punonte edhe për Televizionin Gjerman ZDF.
Pas çlirimit të Kosovës, kameramani Ahmet Konjusha, me hapjen e Radio Televizionit të Kosovës (RTK-sê), menjëher filloi me punë, si korespondent nga Gjermania edhe shtetet e Bashkimit Europian .
Ahmet Konjusha, me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe profesionalizëm edhe sot e kësaj dite, vazhdon të xhiroj aktivitetet e shumta të mërgatës, jo vetëm në Gjermani por edhe në shtetet e tjera të BE-së, ku jeton dhe vepron mërgata shqiptare.
(Argjend Hasani)