ANSAMBLI “PAVARËSIA” NË SHTUTGART, AMBASADORE E KULTURËS SHQIPTARE NË GJERMANI 

Ansambli “Pavarësia” në Shtutgart, është pothuajse bartësja dhe prezentuesja më e denjë e vlerave kulturore dhe atdhetare në mërgatën shqiptare në Gjermani.
Iniciativa për themelimin e ansamblit në kuadër të Shoqatës Kulturore “Pavarësia”  ishte në vitin 2010, ndërsa në vitin 2011, u  bë realitet, ndërsa u pavarësua me 01 korrik 2018, duke u regjistruar në Amtgericht në Shtutgart.
Puna dhe aktiviteti i palodhëshëm i kryetarit të Ansamblit “Pavarësia” në Shtutgart,  Baki Mustafi, dhe anëtarëve të kryesisë si: Zaim Sheji, Premtime Sheji, Astrit Gashi, Gjylije Livoreka, Vlora Bushegjokaj, Fitim Muzlijaj, Nazif Elezi, koreografëve të dalluar, si: Ali Ismajli, Blerim Aliu, Fatjona Mustafi,  Belinda Gashi dhe të anëtarëve të tjerë të Ansamblit,  për një kohë të shkurtër bëri që të shfaqin dhe prezentojnë vlerat kulturore, muzikore, letrare dhe tradicionale, jo vetëm në Gjermani por edhe në shtete të tjera në BE, si dhe nè vendlindje në Kosovë dhe Shqipëri.
E gjendur në Böblingerestrasse 203 në Shtutgart, është shtëpia e shumë të rinjëve dhe të rejave, ku të veshur me kostume kombëtare të paisur me instrumente tradicionale, si çifteli e daulle, të përcjellur me këngë dhe valle të ndryshme popullore, afër dymijë kilometra larg atdheut, të ruhet dhe kultivohet gjuha, kënga, vallja dhe vlerat shumë të pasura kombëtare shqiptare në Gjermani. 

Baki Mustafi, ishte njëri ndër themeluesit e Shoqatës Kulturore “Pavarësia”, në vitin 2011 në Shtutgart, dhe më vonë me rritjen e interesimit për  formimin e një asociacioni për kultivimin dhe prezentimin e vlerave kulturore e kombëtare. Bakiu si një atdhetar i dëshmuar, ish ushtarak dhe veteran i luftës së  Kroacisë, Bosnës dhe Kosovës, dhe si humanist i shquar, ai nuk pushoi asnjēherë me një angazhim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, formoi dhe mobilizoj të rinjtë në kuadër të Ansamblit “Pavarësia” në Shtutgart. 

Në kuadër të ansamblit funksionojnë grupi i valleve,   grupi i lojërave popullore, grupi i recitatorëve, etj.
Një rol të rëndësishëm në mësimin plotësues në gjuhës shqipe e ka edhe mësuesja, Valbona Basha.
Ansambli “Pavarësia” në kuadër të veprimtarisë së saj kulturore dhe folklorike ka realizuar vizita  në Bundestagun gjerman, dhe shfaqje në Frankfurt, Manheim dhe jashtë Gjermanisë, në Paris, Bruksel, Paris, Strasburg, Cyrih etj.
Me ftesë të Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, në kuadër të Festivalit “Sofra Dardane 2018” në Tropojë, Ansambli “Pavarësia”, shpërblehet me mirënjohje. Njëashtu edhe qyteti i Shtutgartit, sektori për kulturë, i ndau mirënjohje ansamblit. Në Festivalin “T’i këndojmë lirisë-Mujë Krasniqi”, të mbajtur në qytetin e Klinës në vitin 2018, u shpërblye me vendin e parë për vallën më të mirë.

Repertoari i këngëve popullore dhe valleve është shumë i gjërë. Përkushtimi i të rinjëve së bashku me kryetarin Baki Mustafi është enorm, por aktualisht pandemia globale e Covid 19, ka ndikuar negativisht, sepse ka detyruar njerëzimin që të pushoj shumë aktivitete jetike, kulturore dhe argëtuese.
Shpresojmë që së shpejti, edhe kjo rë tejkalohet dhe t’i kthehemi normalitetit, kështuqë të fillohet me ushtrimin e aktiviteteve kulturore e kombëtare edhe në Ansamblin “Pavarësia” në Shtutgart.