ALMA SELIM ZYBERI

Alma Selim Zyberi u lind më 24 tetor 1979 në fshatin Molliq komuna e Gjakovës. Përveç shkollimit fillor dhe të mesëm ka përfunduar edhe studimet katërvjeçare në fakultetin e Edukimit në qytetin e Gjakovës dega Gjuhë dhe letërsi shqipe. Pas diplomimit u punësua në shkollën e fshatit të lindjes ku punoi më shumë se një dekadë si mësimdhënëse e Gjuhës Shqipe. Talentin për të shkruar e ka trashëguar nga i ati i saj ashtu si edhe profesionin. Për shkak të rrethanave jetësore s’ka arritur të botoj ndonjë përmbledhje me poezi edhe pse e ka një numër të konsiderueshëm të tyre. Por në të ardhmen shpreson të merret me këtë punë dhe me në fund ta botoj një libër që gjithmonë e ka ëndërruar. Alma tash e katër vite jeton në Gjermani dhe kohë pas kohe shkruan vargje ku prek tematika të ndryshme që shfaqin realitetin e kohës e veçanërisht realitetin shqiptar. 

Alma Selim ZYBERI

DUA T’I THEJ T’GJITHA PASQYRAT

Dua t’i thej t’gjitha pasqyrat

E s’dua ta shoh mallin

n’sytë e mi tuj m’zhuritë çdo ditë

As rrudhat n’ballë nga mendimet

e pafundme që m’torturojnë egërsisht

As flokët që çdo ditë nga një thinjë u shtohet…

O s’dua ta shoh as veten time

n’përballje me vetveten

Tuj mallku çdo çast e çdo frymëmarrje

që janë mijëra kilometra larg dashnisë 

S’dua ta kujtoj se ajo përtej pasqyrës braktisi çdo ëndërr dhe u shndërrua në shtegtare pa cak e pa kohë

S’dua ta di se jetoj në ankthin e përditshëm tuj ëndërru  rikthimin

Tuj besu se ende mund t’i gjej t’freskëta gjurmët e hapave t’mi

Tuj shpresu se portës s’i është ndërruar çelësi

Tuj ëndërru se ende është atje ajo pema që m’bënte fresk kur ëndrroja pafund lumturinë nën hijen e saj!