SEAD RAMADANI
Sead Ramadani u lind më 01 gusht 1965 në fshatin Orashë të Tetovës. Shkollimin fillor e ka mbaruar në fshatin Orashë dhe në fshatin Dobrosht, kurse shkollimin e mesëm në Gjimnazin e Tetovës, në vitin 1983. Shumë shpejt pas regjistrimit në Fakultetin Filologjik – Gjuhë dhe Letërsi shqipe pranë Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup (1984), për shkaqe ekonomike, ka ndërprerë studimet dhe ka marrë rrugën e kurbetit.
Sead Ramadani ka qenë dhe mbetet adhurues i flaktë i letrave të shkruara. Si fëmijë, ka botuar vjersha nëpër revistat shkollore, ndërkaq si gjimnazist ka botuar në revistën “Zëri i rinisë“ shkrimin “Copëzat e akullit në gjak” në vitin 1983. Veprimtarinë krijuese e ka vazhduar edhe në mërgim, duke marrë pjesë nëpër shumë manifestime poetike të organizuara nga shoqata të ndryshme kulturore dhe duke marrë, po ashtu, shumë shpërblime e mirënjohje nga të cilët duhet veçuar çmimin “Kongresi i Manastirit” që i është ndarë nga “Lidhja e krijuesve shqiptarë në mërgatë“ në vitin 2018.
Paraqitjet dhe poezitë e tij, janë vlerësuar lart nga kritika letrare. I frymëzuar nga jeta dhe rrjedha e saj nëpër shekuj, pastaj i nxitur nga poetë dhe krijues fisnikë, ka arritur që të sjellë dy vepra poetike: “Malli për tokën” (2018) dhe “Në kthetrat e kohës” (2020). Në dorëshkrim ka edhe përmbledhjen e tretë me poezi si dhe një roman autobiografik.
Sead Ramadani është anëtar i kryesisë së “Lidhja e shkrimtarëve, artistëve dhe krijuesve shqiptarë në Gjermani”.
Sead RAMADANI
GERMAT
M‘i vodhi germat kjo smirë,
ma rrëmbeu gjuhën,
ndjenjat më janë ftohur, më janë mpirë,
krenarinë ma mbuloi mjegulla e zezë, një duman.
Ofshamat e shpirtit në dhé të huaj s’kanë fuqi
ta fshijnë pluhurin mbi germat e abetares,
zë plasat e zemrës me allçi,
faji ma sulmon ndërgjegjen, me batare.
Në veshin tim germat tingëllojnë me zë shqipe,
melankolia buzët m‘i mbushë shkrumb,
sytë, sytë e përlotur më mbushen me hyme,
erë e fortë mallëngjimi më shpon si plumb.
Erë mallëngjimi, gjithë zagushi, kjo bulçimë,
nga turpi, trupi më skuqet – kruhem,
germat s‘jua mësova, në shpirt kam gulçimë,
fëmijëve të mi u lypi ndjesë, u lutem.