Nën organizimin dhe sponzorizimin e Kompanisë “Baudekoration HASANI GmbH” në Fulda, pronar Miran Hasani, në Hotel-Restaurant “Wolf Zur Linde” në Fulda, në praninë e bashkatdhetarëve tanë, u promovua libri “MËRGATA SHQIPTARE NË GJERMANI” (3), autor Argjend Hasani.

Hapjen e promovimit e bëri z.Can Tahiri, veprimtar i hershëm në mërgatë, i cili iu dëshiroi mirëseardhje mysafirëve për promovimin e librit. Në promovim morën pjesë: Sebastian Nuiqi, kryetar i Lidhjes Shqiptare në Botë; Can Tahiri, gazetar; Ukë Blakaj, drejtor i Unionit të Bizneseve për Hesen; Shaip Ademaj, shkrimtar; Baki Mustafi, kryetar i Asamblit “Pavarësia” në Shtutgart, Bujar Derguti, kryetar i Shoqatës Shqiptare “Bashkimi Kombëtar” në Ofenbah, Ragip Prapashtica, kryetar i Shoqatës Shqiptare “Kosova” në Aschafenburg; Miran Hasani, afarist i suksesshëm, pronar i Kompanisë “Baudekoration HASANI GmbH” në Fulda; kampioni i Gjermanisë në boks në kategorinë e mesme Altin Zogaj dhe shumë mysafirë të tjerë.

Fillimisht z. Can Tahiri, me pak fjalë foli për rëndësinë e botimit të librit ku theksioi se: “Mërgata shqiptare në Gjermani, përmes botimit të librit të autorit të autorit Argjend Hasani po kompletohet si tërësi në të gjitha sferat”. Kështuqë, autorit i uroj suksese të mëtutjeshme në krijimtarinë letrare. Ndërsa, Shaip Ademaj shkrimtar, përgëzoi autorin për botimin e librit dhe foli për rëndësinë e dokumentimit të veprimtarisë së mërgatës në këtë vëllim. Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë, z.Sebastian Nuhiqi, uroi autorin për botimin e librit dhe me theks të veçantë foli për rëndësinë dhe sfidat e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Gjermani. Ai, ndër të tjerash theksoi se: “Numri i nxënësve shqiptarë të cilët ndjekin mësimin në gjuhën shqipe në raport me numrin e nxënësve shqiptarë që jetojnë në Gjermani është shumë i vogël.

Ndërsa, Baki Mustafi, kryetar i Asamblit “Pavarësia” në Shtutgart, theksoi se: “Botimi i librit të tretë i autorit Argjend Hasani për mërgatën shqiptare në Gjermani, është një perlë për mërgatën shqiptare, sepse kështu dokumentohet veprimtaria kulturore, atdhetare dhe bamirëse e bashkatdhetarëve tanë në Gjermani”. Ukë Blakaj, kryetar i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Hesen, Rheinland Pfalz dhe Saarland, theksoi se botimi i këtij libri do të ju shërbej bashkatdhetarëve tanë si dhe gjeneratave të ardhshme, sepse si i tillë ky libër po dokumenton aktivitetin e gjithmbarshëm të mërgatës shqiptare.

Për botimin e librit autorin me nga një fjalë rasti e uroi edhe veprimtari Ragip Prapashtica, kryetar i Shoqatës Shqiptare “Kosova” në Aschafenburg, Miran Hasani, afarist i suksesshëm dhe pronar i kompanisë “Baudekoration HASANI GmbH” në Fulda, që njëherit ishte sponzor gjeneral i librit dhe organizator i këtij promovimi, dhe uroi autorin e librit, dhe premtoi për përkrahje të vazhdueshme për botimin e librave për mërgatën.

Publicisti dhe autori i librit “Mërgata shqiptare në Gjermani”, z.Argjend Hasani, për të pranishmit, shkurtimisht prezantoi përmbajtjen e librit. Për disponimin e mysafirëve u kujdes me repertoarin e pasur, këngëtari Besnik Shuti. Mysafirët e uruan autorin Argjend Hasani, dhe ishin të kënaqur me promovimin e librit, ku autori iu dhuroi mysafirëve nga një ekzemplar të librit.