VITOR SPAQI, INTELEKTUAL DHE ATDHETAR
I SHQUAR NË MËRGIM
Vitor Spaqi u lind në Shpenadi të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në Velezhë, ndërsa të mesmen në Prizren. Në Shkollën e Lartë Pe-dagogjike “Xhevdet Doda” nē Prizren (UP), kishte filluar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, mirëpo për shkak të përndjekjes policore të asaj kohe ndaj tij, nuk kishte arritur t’i përfundonte ato. Që nga viti 1987, filloi të angazhohet në aktivitete të ndryshme të çështjes kombëtare. Ai ishte angazhuar në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve dhe Ngatërresave në Prizren dhe më gjerë, së bashku me profesor Xhafer Kabashin, Eqrem Kryeziun, Ndue Çollakun dhe intelektualë dhe atdhetarë të tjerë. Ishte njëri ndër themeluesit e parë të LDK-së dhe PSHDK-së në Prizren. Për shkak të veprimtarisë aktive në aktivitetet e shumta kombëtare, shumë shpejt bie në sy të policisë serbe. Vazhdimisht i përndjekur dhe i kërkuar, në vitin 1991 ai u detyrua që të emigrojë në Gjermani. Me ardhjen e tij në Gjermani, ai nuk qëndroi duarkryq. Filloi menjëherë angazhimin e tij politik dhe atdhetar në shërbim të çështjes kombëtare duke u kyçur në Lidhjen Demokratike të Kosovës, në Gjermani që drejtohej nga veprimtari i shquar Hafiz Gagica, Heroi i Kombit Sali Çekaj, Gjylije Lecaj, Kolë Merturit e shumë të tjerë. Me kërkesën e Akademik Mark Krasniqit, z.Vitor Spaqi së bashku me veprimtarë të tjerë themeloi Partinë Shqiptaro-Demokristiane të Kosovës, dega në Gjermani, ku njëherit zgjidhet edhe kryetar dhe e udhëhoqi atë deri para pak kohësh, kur ai hoqi dorë veprimtaria politike dhe u spostua në veprimtari kryesisht atdhetare dhe kulturore. Vitor Spaqi, së bashku me veprimtaren e dalluar Gjylije Lecaj, bashkëthemeluan “Qendrën Kulturore Shqiptare” në Shtutgart.
Si kryetar i këtij asociacioni kulturor e kombëtar z.Vitor Spaqi, veprimtarinë dhe aktivitetet e shumta i ka mbë-shtetur kryesisht me bashkëpunime të afërta edhe me deputetët e Bundestagut gjerman, ku ai shpesh ishte i ftuar në seanca dëgjimore për të informuar shtetin gjerman për gjendjen e rëndë që ishte në Kosovë si pasojë e okupimit serb.
Me iniciativën e z.Vitor Spaqi dhe me kërkesën e “Qendrës Kulturore Shqiptare në Shtutgart” në vitin 2018, një vit më pas u realizua edhe ideja e kahmotshme e tij për ngritjen e shtatores së Shën Nënë Terezës në oborrin e kishës së St. Konradit në Shtutgart. Veprimtari dhe atdhetari i shquar z.Vitor Spaqi, ishte dhe mbetet një misionar i madh i vëllezërisë dhe harmonisë së pashoqe në mes të Misionit Katolik Shqiptar, Qendrës Kulturore Shqiptare në Shtutgart dhe Xhamisë Shqiptare në Shtutgart. Donator dhe sponsorizues i aksioneve të shumta humanitare për Kosovën dhe shqiptarët kudo që jetojnë. Mik dhe partner i besuar dhe i rëndësishëm i politikanëve-deputetëve gjermanë, personalitet dhe bashkë-punëtor i dalluar dhe i respektuar për të gjithë.