Në autostradën A66, nga Frankfurt mbi Lumin Majna në drejtim të qytetit të Fuldës, ndodhet Schlüchtern. Posa lëshuam autostradën, pak kilometra rrugëtim me veturë së bashku me mikun tim, afaristin Ukë Blakaj, në Zonën Industriale në Schlüchtern, u gjendëm përballë një godine të madhe, objektit të Kompanisë “KRONI GmbH” në Schlüchtern. Ky objekt ishte tejet i madh, dhe duke vrojtuar hapësirën ku ndodhej kjo kompani, me një mikpritje në hyrje na uroi mirëseardhje të ngrohtë afaristi Ilmi Mustafa, pronar i kompanisë. Pasi hymë brenda, u akomoduam dhe filluam një bisedë të ngrohtë.

Kompania “KRONI GmbH” në Schlüchtern

Afaristi Ilmi Mustafa vjen nga qyteti i Gjilanit dhe kishte emigruar në fund të viteve 80-ta në Gjermani. Biseda u bë edhe më e interesante, pasi që edhe unë jam nga rrethina e Gjilanit, në bisedë e sipër krejt rastësisht kuptuam se babai im Idriz Hasani nga Llashtica, ishte kolegë i punës me babain e Ilmiut, Abdyl Mustafa, në repartin për prodhimin e perdeve në Fabrikën e Tekstilit “INTEGJ” në Gjilan.

Kështu që, u shkëmbyen biseda të shumta me përplot kujtime e nostalgji. Por, t’i kthehemi arsyes së vizitës sonë të këtij biznesi. Pas bisedave mbresëlënëse me afaristin Ukë Blakaj, për bashkëpunimin, sinqeritetin dhe korrektësinë e afaristit Ilmi Mustafa, më zgjoi kureshtjen edhe më shumë që ta bëja këtë vizitë.

Afaristi Ilmi Mustafa, pronar i Kompanisë “KRONI GmbH” në Schlüchtern

Afaristi Ilmi Mustafa, pak kohë pas emigrimit të tij në Gjermani, nuk qëndroi duarkryq, ai përveshi mëngët dhe themeloi biznesin “KRONI GmbH” në Schlüchtern. Kjo kompani merret me suvatimin e objekteve të ndërtuara për banim dhe objekteve të ndryshme vitale. Aktualisht, ka afër 100 të punësuar  dhe ka të angazhuar punëtorë profesional dhe me përvojë të madhe në këtë lëmi.

 Kompania “KRONI GmbH“, zotëron tërë mjetet bashkëkohore dhe materialet e nevojshme për kryerjen e punimeve me sukses.

Lokacioni, hapësirat, zyret e kompanisë ishin pasqyra më e mirë, se si me punë, cilësi, disiplinë, korrektësi dhe efikasitet arrihet deri tek etablimi dhe sukseset në industrinë e ndërtimit në Gjermani.  Mos të harrojmë se puna ekipore së bashku me fëmijët, e sidomos me djemtë Paskalin e Petritin dhe vajzën Leonoren, suksesi domosdoshmërisht është i garantuar.

Pasi, vizituam interierin e bukur të kompanisë vizituam tërë objektin, i cili ishte shumë i madh dhe u ndalëm edhe në depon me material suvatues, ku ishte i furnizuar shumë mirë. Ndërsa, në parkingun e kompanisë ishin automjetet e shumta të cilat përdorën për nevojat e kompanisë.
Në fund u larguam me përshtypje  që do të vizitojmë sërish këtë kompani të suksesshme, ngaqë kjo  ishte edhe kërkesa e afaristit të suksesshëm gjilanas në Gjermani, z. Ilmi Mustafa.
Me pak fjalë, ky është shembulli më i mirë që na bënë krenarë si shqiptarë në mërgatë, dhe kjo storje e suksesit të shërbej edhe për të tjerët.