GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR SHQIPTAR NË GJERMANI

Etleva Mançe, mësuese e Gjuhës Shqipe në Landin e Vestfalisë-Veriore – Gjermani, rrëfen ekskluzivisht për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Gjermani nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Etleva Mançe, bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA….

“GJUHA E NËNËS” SI NJË DOMOSDOSHMËRI NJERËZORE

Mësimi i gjuhës amtare, ose siç u quajt si fillim “Gjuha e Nënës” doli si nevojë pas viteve `60-të me ardhjen e emigrantëve të parë nga ish Jugosllavia në Gjermani. Shkollat e para ishin ato të punëtorëve, të cilit kishin ndërprerë shkollimin në Kosovë dhe për punësimin e tyre duhej një kualifikim. Më pas u mendua që fëmijët e tyre duhet të mësonin gjuhën shqipe, ta lexonin dhe ta shkruanin atë, mbasi kjo do t`ju duhej kur të riatdhesoheshin. Por sot jemi shumë larg kësaj, pasi këta fëmijë tashmë jetojnë në brezin e dytë e të tretë këtu, dhe shumë larg asaj që ata mund të kthehen një ditë andej nga kanë ardhur prindërit apo gjyshërit e tyre. Në mësimin e “Gjuhës së prejardhjes” siç quhet sot, nxënësit mësojnë gjuhën, kulturën dhe traditat nga ata rrjedhin. Është vërtetuar edhe shkencërisht, fëmijët që rriten në dy gjuhë, kanë probabilitetin për të qenë më të suksesshëm dhe të aftë për të mësuar edhe gjuhë të tjera të huaja. Kush e flet bukur dhe ka një fjalor të pasur në gjuhën e nënës, mëson shpejt dhe ka rezultate të mira edhe në gjuhën gjermane. Ky mësim promovon pasuri gjuhësore të cilat nuk duhen nënvleftësuar,  si në aspektin kulturor por edhe në atë shkencor. 

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË LANDIN E LANDIN E VESTFALISË-VERIORE

Gjurmët e parat të Shkollës Shqipe në Gjermani i gjejmë në Landin e Vestfalisë-Veriore, në qytetin Euskirshenit (afër Këlnit) në shkollën fillore  Paul-Gerhard-Schule. Mësimi shqip filloi me 21 Prill 1975. Sot në Landin e Landin e Vestfalisë-Veriore  krahas gjuhës shqipe mësohen edhe mbi 20 gjuhë të tjera, ndërmjet tyre edhe vietnamezish, kurde, farsi etj. Në Landin e Landin e Vestfalisë-Veriore nxënësve iu jepet mundësia të mësojnë gjuhën shqipe nga klasa e 1-10. Në fund të klasës së 10 (9,G8) ata që kanë ndjekur rregullisht mësimin e japin dhe provim. Nota është ekuivalente për një notë jo kaluese të gjuhës së huaj (anglisht/frengjisht etj). Është menduar edhe për fëmijët e emigrantëve të ardhur me vonesë në Gjermani, për nxënësit që kanë bërë shkollën fillore në vendlindje. Si fillim që këta të koncetrohen në mësimin e gjuhës gjermane, ju jepet mundësia, në vend të një gjuhe të huaje të japin provim gjuhën shqipe. Kjo notë zëvendëson notën e gjuhës së huaj dhe ju jep mundësinë e kualifikimit në sistemin shkollor gjerman, përfshirë këtu maturantët dhe maturantët e specializuar apo me kualifikim. Ky  provim është i pavarur nga mësimi i rregullt i gjuhës shqipe. Tezat e provimit përgatiten në rang landi nga një grup pune, mbi bazën e  plan-programeve dhe kurrikulave të mësimit plotësues të gjuhës së prejardhjes.

LANDET E GJERMANISË KU MËSIMI SHQIP ËSHTË I INSTITUCIONALIZUAR

Mësimi i gjuhës shqipe zhvillohet pothuajse në të gjitha Landet e Gjermanisë. Por vetëm në tri Lande ky mësim dhe është i institucionalizuar, pra varet drejtpërsëdrejti nga institucionet  gjermane: në Landin e Vestfalisë-Veriore, në Rheinland Pfalz dhe në Niedersachsen. Si rrjedhojë edhe përqëndrimi më i madh i nxënësve dhe i shkollave shqipe në Gjermani është  pikërisht në këto tri lande. Por në pjesën më të madhe ky mësim bëhet mbi bazën vullnetare,  individuale, përmes shoqatave si edhe me ndihmën dhe mbështetjen e  Konsullatave si dhe të institucioneve të shtetit të Kosovës, nga MASHT dhe Ministria e Diasporës.

DURIM DHE KËMBËNGULJE NGA NGA MËSUESIT, PRINDËRIT DHE NXËNËSIT

Interesi dhe dëshira e prindërve që fëmijët e tyre të flasin gjuhën amtare dhe të ndjekin Mësimin Plotësues të Gjuhës Shqipe është i madh. Por vetëm kjo nuk mjafton. Qëllimi ynë është që nxënësit tanë të lexojnë dhe shkruajnë një gjuhë të standarteve dhe nivele të larta, që jo vetëm ta kuptojnë por edhe ta flasin bukur dhe rrjedhshëm gjuhën e nënës. Dhe kjo kërkon durim dhe këmbëngulje nga të gjtha palët, si nga mësuesit edhe nga prindërit dhe nxënësit.
Unë jam vetë nënë, tani femijët e mi i marrin vetë vendimet për jetën e tyre. Por mendoj se prindërit janë ata që duhet t`u tregojnë drejtimin fëmijëve. Kjo fillon që në moshë të vogël, duke i orintuar ata se si të kalojnë kohën e lirë: para TV, lojëra elektronike apo të jenë aktivë. Është ajo “lufta” e përditshme që bën familja, shoqëria dhe rrethi ku ne jetojmë me përmbushjen e kohës së lirë të nxënësve. Nga ana tjetër detyra jonë si mësues është që ta bëjmë sa më interesante dhe shumë dimensionale orën e mësimit, vetëm kështu rritet interesi i nxënësve për mësimin e gjuhës shqipe. Kënaqësia më e madhe për mua është kur shikoj fëmijë që i sjellin prindërit, ndonjëherë edhe pa dëshirën e tyre, por në fund të mësimit kur ikin thonë duke buzëqeshur – “Më pëlqeu, unë do të vij përsëri në shkollën shqipe”, dhe unë jam e sigurt që ata nuk do ndjehen më inferior kur të shkojnë për pushime në vendlindje. Këtu dua të shtoj edhe më të rëndësishmen, që dialekti nuk luan asnjë rol, madje dialektet e gjuhës shqipe janë aq të ndryshme dhe të larmishme, sa unë e kam theksuar dhe ja u them edhe prindërve që t`a flasin bukur, t`a ruajnë dhe mos e tradhetojnë dialektin GEGË. Personalisht duke qënë në kontakt me prinderit dhe nxënësit me prejardhje nga Kosova, apo Maqedonia kam pasuruar fjalorin tim, dhe tani kur lexoj Gjergj Fishtën e kuptoj shumë mirë, dikur nuk e kuptoja. Nëqoftëse do te flasim me shifra, këtu numri duhet të ishte edhe më i mirë. Në landin e Landin e Vestfalisë-Veriore që kemi dhe përqëndrimin më të madh të emigrantëve është rreth 10% e fëmijëve shqipëfolës, ndërsa në qytetet ku mbahet ky mësim rreth 30%. Nuk kemi shifra të sakta për të gjithë Gjermaninë, por mendohet tek 2-3%, dhe nëqoftëse do të bënim një tabelë sipas vendeve të origjinës, nga Shqipëria, e them me keqeardhje,  numri është shumë shumë i vogël, nuk bëhet fjalë për shifra. Për këtë kemi kërkuar disa herë edhe mbështetjen dhe bashkëpunimin me Ambasadën Shqiptare në Berlin, por fatkeqësisht ata nuk na janë përgjigjur, pothuajse në shumicën e rasteve ka rezultuar pa sukses. 

GJUHA SI FORMË E RUAJTJES SË IDENTITETIT TË NJË KOMBI

Më tepër se gjysma e gjuhëve të nënës në botë janë të kërcënuara nga zhdukja, për këtë arsye ato mbrohen sot nga UNESCO. 21 Shkurti është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës së Nënës, që u caktuan në përkujtimin e të rënëve në këtë ditë, në protestat e studentëve të Universitetit në Dhaka, me origjinë nga Bangladeshi. Roli primar i gjuhës është identifikimi dhe ajo e ruajtjes së identitetit të një kombi, ajo lidh dhe bashkon një komb. Gjuha i jep forcë dhe dinamizëm kombit, ajo identifikon dhe i jep integritet e indetitet kombit. Nëpërmjet gjuhës ne shprehim/përcjellim historinë, kulturën, traditat dhe dashurinë që kemi jo vetëm përkundrejt saj dhe njëri-tjetrit, por edhe ndaj kombit. Gjuha nuk njeh kufij, mure apo barrikada, ajo hap dyer, horizonte dhe prespektiva. Këtu do kujtoj thënien e J.P. Belmondo “Edhe ai që zotëron 20 gjuhë, përdorë gjuhën e nënës kur pret gishtin!”

KËSHILLI I ARSIMTARVE SHQIPTARË “NAIM FRASHËRI” NË GJERMANI

Një ndihmesë dhe mbështetje të veçantë Shkollës Shqipe ndër vite i ka  dhënë edhe Këshilli i Arsimtarve Shqiptarë “NaimFrashëri” në Gjermani. Krijimi i KASH-it me 14 shtator 1990  si një organ profesional me qëllim edukativ dhe arsimor, që solli shkëputjen juridike të shkollës shqipe nga autoritetet e atëhershme ish-Jugosllave, dhe si rrjedhojë çoi në pavarësinë e  Shkollës Shqipe në Gjermani. KASH-i mblodhi rreth tij pothuajse të gjithë mësimdhënësit e atëhershëmnë Gjermani, dhe bëri që të rritej dukshëm interesi për mësimin e gjuhës shqipe në komuntetin shqiptar, si pasojë edhe numri i nxënësve.  Ndër vite KASH-i, i cili u bë edhe institucioni i vetëm i Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në Gjermani ka dominuar me prezencën, aktivitetet, punën si atë organizative, me Kampionatet e Diturisë, festat kombëtare, Garat Sportiveetj., por edhe në atë profesional, pedagogjikë, metodikë, didaktikë, duke botuar   libra të  ndryshëm me përmbajtje historike e biografike, dhe libra mësimore ku autorë ishin   mësuesit dhe anëtarët e KASH-it. E theksojshumë e bindur, që  ka patur  një këmbëngulje dhe bashkëpunim ndërthemeluesve të KASH-it, si Rifat Hamitin, Sami Thaçin, Sejdi Gashin etj, por edhe kolegëve dhe mësusesve të tjerë si p.sh. Adem Shala, Kemajl Çallaku, Sylejman Salihu, Shpresa Perzhaku, Sofje dhe Bajram Dumnica, Sabri Gashi, Hatixhe Ramadani, Gjejrane Curri etj. të cilët kontribuan ndërvite për vazhdimësinë e KASH-it.  Sot ne jemi në kushte komplet të reja, dhe na duhet një riorganizim më aktual, duhet ti përshtatemi   kushteve   të cilat kanë ndryshuar, ti shikojmë këto  ndryshime si avantazh i punës dhe vazhdimësisë   tonë. Asnjëherë më parë nuk është folur dhe bashkëpunuar kaq shumë dhe kaq intesivisht me diasporën, sa sot. Qeveritë e shteteve tona kanë drejtuar sytë dhe vemendjen nga diaspora, dhe kjo për ta parë diasporën si një potencial për të cilin nuk ka nevojë vetëm Gjermania, Amerika, Zvicra etj. por  nga  kjo diasporë  e re, nga ky brez i ri do të dalin përfaqësuesit, ambasadorët   e   urave   lidhëse   midis   këtyre   vendeve  dhe   vendeve   të origjinës. Dhe në fund dua të theksoj se duke kordinuar të gjitha mënyrat e bashkëpunimit dhe përvojat e ndryshme të qeverive në Tirane, Prishtinë dhe Shkup do të ketë me shumë efikasitet në arritjen e qëllimeve tona, duke u nisur në atë që ne kemi të përbashkët dhe me kryesoren, Gjuhën Shqipe. Dhe të gjitha këto përpjekje dhe investim për t`ju lënë nxënësve, prindërve dhe komunitetit shqiptar në Gjermani një Shkollë Shqipe për të gjithë shqiptarët, me mësues dhe nxënës nga të gjitha trevat shqiptare.

SHQIPTARËT NË NË LANDIN E VESTFALISË-VERIORE – GJERMANI

Landi i Vestfalise-Veriore ka një dendësi të madhe si në numrin e popullsisë por edhe në atë të përqëndrimit të ekonomisë gjermane. Kjo ka sjellë edhe përqëndrimin e shumë emigrantëve, dhe midis tyre edhe të shqiptarve nga të gjitha trojet shqiptare. Siç e theksova edhe me lart, emigrantët e parë shqiptarë në Gjermani kanë ardhur në vitet `60, ishin kryesisht emigrantë ekonomik nga ish Jugosllavia. Një dyndje të madhe pati në vite ´90, kryesisht për arsye politike, dhe në këto vitet e fundit kemi përsëri ardhje të konsiderueshme kryesisht nga Shqiperia të kuadrove të kualifikuar. Pothuajse të gjithë shqiptaret, duke filluar nga ata që tashmë jetojnë në brezin e tretë në Gjermani, por edhe të ardhurit e fundit, janë plotesisht të integruar në jetën sociale e shoqërore gjermane. Të rinjtë nga të gjitha trojet shqiptare luajnë një rol kryesor në zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë gjermane, duke dhënë kontributin e tyre në mjekësi, industri, shkencë dhe politikë. Por më e rëndësishmja është që shumë të rinj, integracionin e tyre e kanë ndërthurur tepër mirë, me kulturën e prejardhjes dhe identitetin e tyre. Kjo pasqyrohet nga shoqatat e shumta kulturore dhe profesioniste që janë aktive në landin e Vestfalisë-Veriore. Këtu mund të përmend shoqatën e te rinjve “URA-KULT” në Köln, “Shoqatën e Biznesmenëve Shqiptarë” në Düsseldorf, atë të Grave Shqiptare po në Düsseldorf, “Klubin Nexhmije Pagarusha” në Solingen, Shoqatën e Poetëve, etj. Brezi i ri, i lindur dhe rritur në Gjermani është nje potencial i madhë jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për vendet prejardhëse, ky brez duhet të shërbejë  si urë lidhëse midis vendeve të prejardhjes dhe Gjermanisë. 

MESAZHI JUAJ PËR DIASPORËN NË USA

Me dhëmb, kur shkoj me pushime në Shqipëri dhe shikoj e dëgjoj fëmijë, e të rinj të cilat vinë me shumë dëshirë për tu takuar me gjyshin, gjyshen, e të afermit e tyre, por që nuk kuptojnë, e nuk  flasin asnjë fjalë shqip! Ju lutem të gjithe bashkëkombsave të mi, jo vetëm në USA, por kudo ku ndodhen, flitini fëmijëve shqip, deri sa nuk është vonë! Unë mund të tregoj me dhjetra dhe qindra raste nga pervoja ime e perditshme, shqiptarë, fëmijë, të rinj që e kanë humbur shancin për ta mësuar gjuhën shqipe. Por kam edhe me qindra dhe mijëra bashkëkombas, të cilët me shumë dëshirë dhe këmbëngulje, ja u kanë mësuar fëmijëve gjuhën shqipe.